Princi iranian i kurorës, Reza Pahlavi, I cili ndodhet në egzil, u qëllua me një lëng të kuq gjatë një vizite në kryeqytetin gjerman, Berlin të enjten.
Policia njoftoi se një burrë u ndalua pas incidentit, që ndodhi pasi Pahlavi ishte paraqitur në ambientet e konferencave për shtyp të qeverisë federale, njofton dpa, përcjellë KosovaPress.
Një gazetar i agjencisë gjermane të lajmeve që ishte në vendngjarje tha se i dyshuari u rrëzua në tokë para se të paraburgosej. Më pas, ai u mor në pyetje për të mësuar identitetin dhe motivin e tij.
I njëjti nuk raportohet se ishte i njohur për policinë.
Në një deklaratë fillestare, autoritetet e përshkruan incidentin si një sulm me domate, por më pas sqaruan se ishte hedhur një lëng i kuq. Ekipi i Pahlavit ndërkaq pretendoi se bëhet fjalë për salcë domatesh, e cila iu hodh në qafë dhe shpatulla.
Pahlavi, 65 vjeç, nuk u duk i shqetësuar nga incidenti dhe më pas u përshëndeti mbështetësve jashtë ndërtesës. Ai raportohet se erdhi në Berlin për bisedime politike, por nuk është paraparë të takohet me zyrtarë të qeverisë gjermane.
Djali i shahut të fundit të Iranit, i cili jeton në SHBA, e ka pozicionuar veten si një udhëheqës i mundshëm tranzitor në Iran, pas luftës së këtij shteti me Amerikën dhe Izraelin, megjithëse roli i tij mbetet i diskutueshëm edhe brenda qarqeve opozitare. Grupet monarkiste e mbështesin, ndërsa të tjerët kundërshtojnë çdo rikthim të monarkisë apo udhëheqje nga anëtarë të familjes së mëparshme sunduese.
Dpa raporton se niveli i mbështetjes së tij brenda Iranit mbetet i paqartë, pjesërisht për shkak të kufizimeve të komunikimit të vendosura nga autoritetet pas përshkallëzimit të tensioneve me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara më herët këtë vit.
Pahlavi u ka bërë thirrje qeverive evropiane të ndalojnë angazhimin me udhëheqjen e Iranit, duke argumentuar se negociatat ndihmojnë në mbajtjen e sistemit aktual në Teheran, një kërkesë që e përsëriti në Berlin të enjten.
“Evropa … ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur sipas mendimit tim,” tha ai për dpa, duke shtuar se mendon që “Evropa po e minon atë që mund të bëjë.”
Ngjarja e pakëndshme për Pahlavin ndodhi në mesditës, kur rreth 1,000 mbështetës u mblodhën jashtë ndërtesës së Rajshtagut në Berlin, ku ndodhet dhoma e ulët e parlamentit, duke kërkuar ndryshim regjimi në Iran. Shumë prej tyre valëvitën flamurin perandorak iranian, i përdorur deri në rrëzimin e shahut të fundit, babait të Pahlavit, nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.










