Trendy

MPB jep detaje për arrestimin e ish kryetarit të FFM-së, Muamed Sejdini

Para 1 orë

Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike pranë MPB-së, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër M.S., ish-kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – Përvetësim gjatë shërbimit.

I dyshuari, në periudhën nëntor – dhjetor 2024, si person zyrtar, kryetar i FFM-së, ka përfituar dobi pasurore të paligjshme prej rreth 660 mijë eurove për një person juridik nga Shkupi, shumë kjo që tejkalon vlerën e konsiderueshme pasurore.

​Dyshimet tregojnë se vepra është kryer në atë mënyrë që FFM, si anëtare e UEFA-s, gjatë vitit 2024 ka pranuar mjete financiare rreptësisht të dedikuara për revitalizimin e terreneve sportive dhe infrastrukturës. Me mbështetjen financiare nga UEFA në kuadër të programit “HatTrick VI”, i dyshuari ka filluar procedurën për realizimin e projektit – ndërtimi i tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër dhe ka dhënë propozim për zgjedhjen e kompanisë për realizimin e punimeve.

Pas miratimit nga Bordi Drejtues, i dyshuari ka kërkuar oferta nga tri firma, me ç’rast është zgjedhur oferta më e favorshme në vlerë prej rreth 3,3 milionë euro pa TVSH.
​Edhe pse kontraktuesi nuk e ka kërkuar këtë, e as në kërkesat për dorëzimin e ofertave nuk ishte paraparë si mundësi, i dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Bordit Drejtues, ka vendosur një kusht shtesë në kontratën e lidhur me firmën e përzgjedhur, me të cilin ka paraparë pagesë avansi në vlerë prej 20% të vlerës totale të kontratës para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa asnjë veprim paraprak nga kontraktuesi. Me këtë rast, ai nuk ka paraparë asnjë sigurim juridik për mjetet e paguara në emër të avansit, e ka nënshkruar kontratën e tillë dhe më datë 17.12.2024, mjetet monetare në vlerë prej rreth 660 mijë eurove që i ishin besuar në shërbim, me urdhër të tij drejtuar shërbimeve për pagesë, ia ka transferuar si avans personit juridik.

Trending