Për vite me radhë, Aleksandar Vuçiç u trajtua nga Perëndimi me një lloj pragmatizmi të ftohtë: jo sepse ai ishte domosdoshmërisht “zgjidhja”, por sepse dukej si njeriu që e mbante Serbinë nën kontroll dhe Ballkanin në një temperaturë të menaxhueshme…
Për më shumë se një dekadë, Aleksandar Vuçiç e ka mbajtur Serbinë nën një model pushteti që i ka rezistuar skandaleve, protestave, krizës së Kosovës dhe kritikave nga jashtë. Ai e ndërtoi autoritetin e tij mbi një formulë që dukej e thjeshtë, por ishte shumë funksionale: kontroll mbi institucionet, dominim i narrativës publike përmes medias, një aparat partiak që shtrihet në administratë dhe ekonomi, dhe një ekuilibër i vazhdueshëm midis Perëndimit dhe Rusisë. Në këtë model, Vuçiç e shiti veten si “garantuesin e stabilitetit”, i vetmi njeri që mund ta mbante situatën nën kontroll në një rajon ku çdo gjë mund të shpërthente.
Për një kohë të gjatë, kjo funksionoi. Çdo krizë shndërrohej në një argument për më shumë pushtet: nëse kishte tensione, nevojitej një “dorë e fortë”; nëse kishte presion nga jashtë, nevojitej një “udhëheqës i mirë” që “nuk do ta shiste vendin”; nëse kishte pakënaqësi brenda, nevojitej “qetësi” sepse “alternativa është kaosi”. Kjo është logjika e regjimeve personaliste: të mos qeverisin duke zgjidhur problemet, por duke menaxhuar frikën e përkeqësimit.
Por sot, pyetja “a po i vjen fundi Vuçiçit?” po dëgjohet më shpesh jo sepse opozita është papritmas më e fortë, por sepse modeli i tij po tregon shenja konsumimi. Dhe ajo që e bën këtë situatë më të rrezikshme për të është fakti se presioni nuk po vjen nga një drejtim i vetëm. Ai po vjen njëkohësisht nga rruga, nga pakënaqësia sociale, nga Brukseli, nga çështja e Kosovës, nga dobësimi i disa prej aleatëve të tij dhe nga një emër që vazhdon ta ndjekë si një hije politike dhe diplomatike: Milan Radoiçiç.
Protestat në Serbi kanë ndodhur edhe më parë, por ajo që po shihet tani ka një ndryshim domethënës: nuk duket më si një shpërthim emocional që zbehet pas disa ditësh, por më tepër si një lodhje e akumuluar që po shndërrohet në këmbëngulje. Nuk është vetëm çështje ekonomie apo skandali i radhës; është ndjesia se sistemi është i mbyllur, se institucionet nuk funksionojnë si institucione, se drejtësia nuk është më garanci, se media nuk informon, por disiplinon dhe se korrupsioni është bërë gjuha zyrtare e shtetit. Kur një shoqëri arrin në këtë pikë, rreziku për pushtetin nuk është vetë protesta, por momenti kur njerëzit fillojnë të mos e pranojnë më frikën si rregull të lojës. Regjimet e forta lëkunden kur qytetarët humbasin ndjesinë se “nuk ia vlen”, dhe kjo, në Serbi, duket se po ndryshon gradualisht.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç po ndjen se mburoja e tij evropiane nuk është më aq e fortë sa dikur. Humbja e Viktor Orbanit ka implikime që shkojnë përtej Hungarisë. Orbani ishte një lloj mbrojtjeje brenda BE-së: një figurë që mund të zbuste kritikat, të relativizonte presionet dhe të jepte përshtypjen se modeli joliberal është një trend evropian, jo një devijim ballkanik. Kur një aleat i tillë dobësohet, Serbia mbetet më e ekspozuar dhe Vuçiç duhet të paguajë më shtrenjtë për të njëjtën tolerancë që gëzonte më parë nga disa qendra vendimmarrëse. Perëndimi, për vite me radhë, e ka toleruar Vuçiçin sepse e shihte atë si “të domosdoshëm” për stabilitetin rajonal. Por kjo logjikë po sfidohet sa herë që stabiliteti që ai premton fillon të duket si një ngecje e rrezikshme, ose një stabilitet i ndërtuar mbi tensione të kontrolluara.
Në këtë ekuacion, Kosova është bërë më shumë një barrë sesa një kartë. Për vite me radhë, ajo ka shërbyer si një instrument i fuqishëm për Vuçiçin: ndonjëherë për mobilizim të brendshëm, ndonjëherë për presion mbi Prishtinën, ndonjëherë si një monedhë negociuese me Brukselin dhe Uashingtonin. Por pas Banjskës, kostoja është rritur ndjeshëm. Sulmi i armatosur i shtatorit 2023 nuk u perceptua vetëm si një incident sigurie. Për shumë aktorë ndërkombëtarë, ai ndryshoi mënyrën se si shihet roli i Beogradit. Dhe për shkak se ngjarje të tilla nuk ndodhin në një vakum, Banjska e ktheu vëmendjen te një pyetje e vjetër, por tani më e mprehtë: sa kontroll kishte dikur Vuçiç mbi atë që po ndodhte në veri të Kosovës dhe sa e toleron ai atë për interesa politike?
Ja ku vjen Milan Radoiçiç, një emër që e bën këtë pyetje edhe më të vështirë për Vuçiçin. Njeriu kryesor në grupin terrorist që pranoi se ishte pjesë e sulmit në Banjska dhe që tani nuk ka asnjë problem me kërkesën për t’u gjykuar për krimin që kreu. Fakti që Radoiç mori përgjegjësinë për Banjskën dhe megjithatë mbeti i lirë në Serbi ka krijuar një boshllëk serioz besueshmërie. Për shumë njerëz në Perëndim, kjo nuk shihet më si një çështje thjesht gjyqësore, por si një provë politike: a ekziston një vullnet shtetëror për përgjegjësi, apo po mbrohen njerëz që konsiderohen të dobishëm për skemat e ndikimit dhe kontrollit në terren?
Këtu Vuçiç bie në një kurth më serioz se krizat e mëparshme. Nëse e merr seriozisht Radoiçin dhe lëviz më shumë drejt kërkesave perëndimore, ai rrezikon të ofendojë një pjesë të bazës së tij nacionaliste dhe, më e rëndësishmja, të shqetësojë rrjetet e brendshme të pushtetit që e kanë mbajtur sistemin të bashkuar. Nëse nuk vepron, atëherë kostoja ndërkombëtare rritet: presioni diplomatik, kushtëzimi i mbështetjes, skepticizmi në rritje dhe një ndjenjë izolimi që nuk e ndihmon as ekonomikisht dhe as politikisht. Ky është kurthi: çfarëdo që të bëjë, ai paguan një çmim. Dhe kur një udhëheqës nuk mund t’i shmangë kostot përmes manovrimit, ai fillon të duket më pak i pathyeshëm.
A do të thotë kjo se fundi është afër? Jo domosdoshmërisht.
Vuçiç ende kontrollon shumë mekanizma pushteti: institucionet, median, aparatin e sigurisë, patronazhin ekonomik. Por pyetja sot nuk është nëse ai ka pushtet; pyetja është nëse modeli i tij po humbet qëndrueshmërinë e tij. Dhe këtu shenjat janë më të qarta se më parë. Protestat nuk po zbehen lehtë. Pakënaqësia sociale po thellohet. Kosova po prodhon kosto politike, jo vetëm për Prishtinën, por edhe për Beogradin. Presioni ndërkombëtar po bëhet më i kushtëzuar. Aleatët e jashtëm që dikur shërbenin si mburojë po dobësohen. Dhe hija e Radoiçit vazhdon të qëndrojë në tryezë si një problem që nuk mund të mbyllet me deklarata.
Vuçiç e ndërtoi pushtetin e tij duke menaxhuar tensionet. Por rreziku për të sot është se disa nga këto tensione nuk duken më të menaxhueshme në mënyrën e vjetër. Kur krizat që ai përdor për të sunduar fillojnë të grumbullohen, ato nuk e forcojnë më pushtetin e tij, por e konsumojnë atë. Dhe ky është ndryshimi i madh i momentit: për herë të parë, kombinimi i rrugës, presionit ndërkombëtar, Kosovës dhe hijes së Milan Radoiçit po e bën pushtetin e Vuçiçit të duket më i prekshëm se kurrë, jo sepse ai është dobësuar papritur, por sepse modeli i tij po plaket, po humbet besueshmërinë dhe po fillon të prodhojë më shumë kosto sesa përfitime.
Mosndarja nga Rusia si një barrë strategjike
Për vite me radhë, Aleksandar Vuçiç u trajtua nga Perëndimi me një lloj pragmatizmi të ftohtë: jo sepse ai ishte domosdoshmërisht “zgjidhja”, por sepse dukej si njeriu që e mbante Serbinë nën kontroll dhe Ballkanin në një temperaturë të menaxhueshme. Stabiliteti, edhe kur vinte me kompromis moral dhe politik, konsiderohej një çmim i pranueshëm. Sot, kjo llogaritje po dështon. Dhe arsyeja kryesore ka një emër: Rusia. Serbia vazhdon të refuzojë përputhjen e plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian ndaj Moskës. Ajo nuk iu bashkua sanksioneve. Ajo i mban kanalet politike të hapura. Në energji, diplomaci dhe diskursin publik, Rusia vazhdon të trajtohet jo si agresore, por si një aleate historike. Beogradi e quan këtë “neutralitet”.
Por në një Evropë që ka hyrë në epokën e sigurisë, një “neutralitet” i tillë tingëllon si një justifikim. Në kryeqytetet perëndimore, ajo që Serbia shet si ekuilibër lexohet gjithnjë e më shumë si paqartësi e qëllimshme: ne marrim përfitimet nga BE-ja, ne mbajmë lidhje me Kremlinin dhe e përdorim paqartësinë si një instrument presioni. Ky është thelbi i problemit: Vuçiç nuk po përpiqet të balancojë për të mbijetuar si një shtet i vogël midis blloqeve; ai po e përdor balancimin si një strategji pushteti.
Në Bruksel dhe Uashington po bëhet gjithnjë e më e qartë se një vend kandidat për në BE nuk mund të luajë njëkohësisht rolin e një partneri evropian dhe të mbajë marrëdhënie të privilegjuara me Kremlinin. Kjo nuk është më çështje protokolli diplomatik; është çështje koherence strategjike.
Në një klimë ku Rusia shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë, çdo “zonë gri” është një rrezik. Dhe Serbia nën Vuçiçin është bërë pikërisht kjo: një zonë gri me ndikim rus, me kanale alternative, me retorikë të dyfishtë dhe me një politikë të jashtme që shpesh duket si negociata të përhershme, jo si udhëzim.
Perëndimi mund të tolerojë shumë për hir të stabilitetit, por e ka të vështirë të tolerojë diçka që i ngjan përhapjes së ndikimit rus në zemër të Evropës. Problemi i Vuçiçit është se ai e ka ndërtuar modelin e tij politik mbi dy përfitime kryesore: Së pari, përfitimi i brendshëm: Rusia shërben si simbol, si emocion, si një “mburojë” ideologjike dhe si një mjet për të ushqyer një pjesë të opinionit publik. Së dyti, përfitimi i jashtëm: duke mos u shkëputur plotësisht nga Moska, ai ruan një kartë negociuese drejt Perëndimit. Mesazhi i pathënë, por i kuptueshëm është ky: “Nëse nuk më trajtoni si të domosdoshëm, mund të rrëshqas diku tjetër”. Thjesht kjo strategji po bëhet gjithnjë e më pak funksionale. Sepse Perëndimi nuk po kërkon më “menaxhimin e krizave” si një përparësi absolute; po kërkon harmonizim./Pamfleti










