Shkruan: Augustin Palokaj/Jutarnji List

Komisioni Europian nuk ka marrë asnjë vendim për ngrirjen e mjeteve financiare për Serbinë, por vetëm po vlerëson nëse janë përmbushur kushtet ekzistuese për pagesat e parave, gjë që është praktikë e zakonshme. Këtë e tha të hënën Markus Lamer, zëdhënës i Komisionit Europian, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse Komisioni ka marrë vendim për ngrirjen e mjeteve të BE-së për Serbinë dhe cilat fonde saktësisht janë ngrirë.

Më herët, komisionerja për zgjerim, Marta Kos, tha se të gjitha pagesat për Serbinë janë ndaluar sepse Serbia ka bërë prapakthim në përmbushjen e kushteve lidhur me sundimin e ligjit. Mediat, siç duket gabimisht, raportuan se Serbisë i janë ngrirë mjetet në vlerë prej 1,5 miliardë eurosh.

Shpjegimi i dhënë nga zëdhënësi i Komisionit të hënën duket si një përgënjeshtrim i asaj që kishte thënë më parë komisionerja Kos. Mirëpo, bëhet fjalë për përdorimin e termave të ndryshëm, gjë që po krijon një perceptim të gabuar për atë që ka ndodhur.

BE po përgatit goditje të rëndë për Serbinë!?

“Komisioni Europian vlerëson vazhdimisht nëse janë përmbushur kushtet përkatëse për mbështetje nga korniza e instrumenteve financiare të BE-së. Kjo është pjesë e zbatimit të zakonshëm të këtyre instrumenteve dhe zbatohet gjatë gjithë procesit, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për Planin e Rritjes në fazën e çdo kërkese për pagesë”, tha zëdhënësi. Ai theksoi shqetësimin e BE-së për miratimin e ligjeve për gjyqësorin dhe se BE-ja tani pret nga Serbia zbatimin e plotë të opinionit të Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës për këtë çështje kontestuese. Ky do të jetë kusht për pagesat e mëtutjeshme nga Plani i Rritjes.

Për BE-në, ligji i fundit për gjyqësorin i miratuar nga Serbia ishte shkelje e parimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe nuk është në përputhje me standardet e BE-së. Në bazë të këtij ligji, Serbia ka shkarkuar gjyqtarë. Tani, kur edhe Komisioni i Venecias ka dhënë opinion të ngjashëm me qëndrimin e Komisionit Europian dhe ka kërkuar nga Serbia tërheqjen e këtyre ligjeve, Beogradi ka njoftuar se do ta bëjë këtë. Megjithatë, pyetja është nëse Serbia do të anulojë edhe të gjitha pasojat e atij ligji kontestues, apo vetëm do ta kthejë ligjin siç ishte, por jo edhe gjyqtarët që u shkarkuan mbi bazën e tij.

Diplomatët në Bruksel përmendin edhe mundësinë që ky konfuzion i krijuar nga Komisioni Europian rreth ngrirjes ose mosngrirjes së fondeve për Serbinë, të jetë rezultat i ndarjeve që ekzistojnë në BE kur bëhet fjalë për Serbinë. Nuk është kontestuese që Vuçiq vazhdon të ketë mbrojtës ndikues në BE, përkundër pakënaqësisë në rritje që mbretëron në Bruksel për shkak të veprimeve të Serbisë. Mes tyre përmendet veçanërisht Partia Popullore Europiane (EPP), ku SNS-ja e Vuçiqit është anëtare e asociuar. Në këtë parti, më shumë se një vit më parë paralajmëruan se do të “rishqyrtojnë” statusin e SNS-së, por edhe burimet nga EPP thonë se kjo është vetëm një farsë dhe se Vuçiq ka mbrojtje të madhe atje, andaj nuk besojnë se do të ketë pasoja konkrete.

Fundi i akrobacisë së Vuçiqit?

Serbia dhe Vuçiq kanë pasur, ose të paktën deri më tani kanë pasur, mbrojtje edhe nga qarqet e zyrës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Europian, António Costa, si dhe nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, Gert Jan Koopman, i cili mes diplomatëve të BE-së konsiderohet si “veçanërisht i prirur ndaj Serbisë”. Thirrjet e mëparshme për masa kundër Serbisë, më së shumti nga Parlamenti Europian, për shkak të veprimeve të shumta – nga forcimi i marrëdhënieve me Rusinë, rezistenca ndaj ndjekjes penale të përgjegjësve për sulmet në veri të Kosovës, e deri te represioni ndaj mediave dhe protestuesve në Serbi – nuk kanë gjetur mbështetje në Komisionin Europian.