Autoritetet shëndetësore dyshojnë se kanë identifikuar “Pacientin Zero” të shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike MV Hondius: bëhet fjalë për ornitologun holandez Leo Schilperoord, pasioni i të cilit për vëzhgimin e zogjve mund t’i ketë kushtuar jetën.
70-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, Mirjam Schilperoord, 69 vjeçe, po zhvillonin një udhëtim pesëmujor në Amerikën e Jugut. Çifti kishte vizituar Argjentinën, Kilin dhe Uruguain, përpara se të rikthehej në fund të marsit në Ushuaia, në jugun ekstrem të Patagonisë.
Më 27 mars, ata vizituan një landfill rreth 6 kilometra jashtë Ushuaias, një vend i njohur mes vëzhguesve të zogjve sepse aty shfaqet një specie e rrallë e quajtur “Darwin’s caracara”, e emërtuar sipas Charles Darwin.
Sipas autoriteteve argjentinase, pikërisht aty çifti dyshohet se ka thithur grimca të kontaminuara nga jashtëqitjet e brejtësve “long-tailed pygmy rice rats”, bartës të variantit Andes të hantavirusit — forma e vetme e njohur deri tani që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.
“Është e zakonshme që vëzhguesit e zogjve të vizitojnë landfillet sepse aty ka shumë shpendë”, deklaroi guida lokale Gastón Bretti.
Katër ditë pas vizitës në landfill, më 1 prill, çifti hipi në anijen turistike MV Hondius së bashku me 112 pasagjerë të tjerë, shumë prej tyre shkencëtarë dhe adhurues të natyrës.
Më 6 prill, Leo Schilperoord shfaqi simptoma si temperaturë, dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe diarre. Ai vdiq pesë ditë më vonë në bord.
Bashkëshortja e tij, Mirjam, zbriti nga anija më 24 prill në ishullin Saint Helena në Atlantik, së bashku me trupin e pajetë të burrit. Ajo tentoi të udhëtonte drejt Holandës përmes Afrikës së Jugut, por u rrëzua në aeroport nga gjendja e rëndë shëndetësore dhe vdiq një ditë më vonë.
Historia e çiftit ka tronditur komunitetin e vogël holandez të Haulerwijk, ku ata njiheshin për pasionin e tyre për natyrën dhe ekspeditat ornitologjike nëpër botë.
“Si zogj në fluturim… do të na mungoni ju dhe historitë tuaja”, shkruhej në një prej nekrologjive të publikuara në revistën lokale të fshatit.






