Bekim Fazliu nga Lëvizja Arbëria ka reaguar për debatet rreth interpretimit të “Ode to Joy”, duke e krahasuar opozitën me “repertorin e dasmave”, ndërsa pushtetin me një qasje më europiane dhe institucionale.
Në një postim publik, Fazliu shkruan se në shtetet multietnike si Maqedonia e Veriut, himni shtetëror duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe jo vetëm një komunitet të caktuar. Ai thekson se është absurde që shqiptarët të ngrihen në këmbë për një himn ku, sipas tij, përmenden dhe përfaqësohen vetëm të tjerët, ndërsa shqiptarët mbeten “dekor protokollar”.
Fazliu kritikon edhe partitë shqiptare që për vite me radhë kanë qenë pjesë e pushtetit, duke thënë se asnjëherë nuk e kanë problematizuar këtë çështje, edhe pse kanë mbajtur poste të larta shtetërore.
Sipas tij, interpretimi i “Ode to Joy” nuk ishte vetëm muzikë, por një mesazh europian për një debat të madh ballkanik, duke shtuar se Europa nuk ndërtohet me simbole që përjashtojnë qytetarët.
Në fund, ai përmend edhe Kosovën si shembull të “de-etnizimit” të simboleve shtetërore, duke sugjeruar se edhe Maqedonia e Veriut duhet ta shqyrtojë këtë qasje.










