Trendy

Nikolloski: Afati për ndërtimin e Korridorit 8 shtyhet për në dhjetor të vitit 2029

Para 1 orë

Kryeministri Hristijan Mickoski sot së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtorin e NP “Rrugë Shtetërore”, Koce Trajanovski, realizuan vizitë pune në projektet infrastrukturore që po realizohen në pjesën perëndimore të Korridorit 8, përcjell TV21.. Pas inspektimit të punimeve ndërtimore në autostradën Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçani, zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se punimet po zhvillohen me dinamikën e nevojshme. Të gjitha sfidat në trasenë po zgjidhen me koordinim të mirë mes institucioneve, ndërsa Qeveria i ka mundësuar operatorit një front të hapur pune në të gjithë trasenë.

“Ne shpesh flasim për këto projekte në paraqitjet tona publike, në konferenca për shtyp, në intervista, ja tani të shihen në terren. Tashmë e kemi kaluar një seksion, autostradën nga Tetova deri në Gostivar, në publik është krijuar perceptimi se është autostradë, por në fakt është rrugë ekspres dhe për herë të parë në këtë segment do të ndërtohet autostradë. Seksioni i dytë është ky ku jemi tani. Diçka që për shumëkënd ishte e paimagjinueshme, që ndonjëherë do të ketë autostradë që e anashkalon Strazhën dhe pjesën më të vështirë të lidhjes me Ohër dhe Strugë dhe gjithë Korridorin 8. Këtu para nesh shihet se po punohet intensivisht në ura, në hapjen e trasesë së autostradës, në skarpata, vërtet po kryhen punë të jashtëzakonshme inxhinierike. Si Qeveri po bëjmë gjithçka që t’u mundësojmë kompanive ndërtuese të përfundojnë sa më shpejt projektet dhe qytetarët t’i përdorin ato. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për PBB-në, jam krenar që në tremujorin e tretë të vitit të kaluar rritja në ndërtimtari ishte 21%, ndërsa në të katërtin 16.7%. Presim rezultate të mira edhe për tremujorin e parë të këtij viti dhe vazhdimësi në periudhën e ardhshme”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Trending