Në intervistën “Dialog në Lajm”, kryetari i Gostivarit, Valbon Limani, ka ndarë lajmin se së shpejti do të nisë realizimi i disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore për qytetin dhe vendbanimet përreth.
Limani bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojë rekonstruktimi i bulevardit “Vëllezërit Gjinovci” deri te objekti i gjykatës. Një tjetër projekt madhor që pritet të nisë është ndërtimi i urës së re me katër korsi, e cila do të përfshijë edhe korsi për biçikleta dhe hapësira për këmbësorë.
Po ashtu, ai theksoi se tashmë ka filluar realizimi i projektit të kanalizimit në fshatin Çegran, projekt i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët.
Kryetari Limani shtoi se programi i komunës përfshin edhe investime në terrene sportive, parqe, shkolla dhe projekte të tjera zhvillimore, me synimin që qytetarët ta ndjejnë Gostivarin si një qytet modern dhe të kompletuar.










