Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka vlerësuar si inkurajuese të dhënat më të fundit për tregun e punës, të cilat tregojnë ulje të papunësisë dhe rritje të stabilitetit ekonomik në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës, numri i personave të papunë në tremujorin e parë të vitit 2026 është zvogëluar krahasuar me periudhën paraprake, ndërsa shkalla e papunësisë ka arritur në 11.3 për qind.
“Çdo qytetar që arrin të punësohet është një fitore për familjen e tij dhe për ekonominë e vendit. Këto rezultate tregojnë se masat që po zbatojmë për nxitjen e punësimit, mbështetjen e kompanive dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë po japin efektet e para konkrete”, deklaroi ministri Durmishi.
Ai theksoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë me politikat aktive të punësimit, mbështetjen e sektorit privat dhe krijimin e kushteve për hapjen e vendeve të reja të punës, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.
“Rezultatet janë inkurajuese, por nuk ka vend për vetëkënaqësi. Objektivi ynë mbetet krijimi i një tregu pune më dinamik, me më shumë mundësi dhe me paga më të mira për qytetarët”, tha Durmishi.
Sipas statistikave zyrtare, në vend janë mbi 707 mijë të punësuar, ndërsa numri i të papunëve ka rënë në rreth 90 mijë persona, duke konfirmuar trendin pozitiv në tregun e punës gjatë muajve të fundit.










