Trendy

Dallimi drastik mes natalitetit dhe mortalitetit, pasojë e migrimit

Para 2 orë

Zvogëlimi i numrit të popullsisë ndodh më së shumti shkaku i migrimeve, konkretisht i ikjes së të rinjve nga vendi, për një jetë më të mirë dhe më të sigurt, thotë sociologu Denis Raufi. Raufi shprehet se, pasiguria që shohin sidomos të rinjtë, i detyron ata që të kërkojnë një jetë më të sigurt dhe më të mirë në shtetet evropiane.

“Të gjithë të rinjtë që ikin nga vendi ynë shohin një të ardhme më të mirë jashtë si në aspektin ekonomik ashtu edhe aspekti tjetër më i rëndësishëm, i sigurisë së jetesës. Ikja ndodh për këto dy faktorë të rëndësishëm pasi shumë njerëz e shohin vendin si jo të sigurt për të krijuar një familje dhe ajo të jetë e shëndoshë pasi ekzistojnë shumë anomali shoqërorë nga mungesa e funksionimit të mirë të institucioneve të cilat mund t’i trajtojnë këto problematika sociale”, deklaroi Denis Raufi – Sociolog.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, në tremujorin e parë të vitit janë lidhur 1.797 martesa, që është 2.7% me pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2025, ndërsa janë regjistruar 494 divorce që paraqet rritje për 6.2% në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2025. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e parë të vitit 2026, shtimi natyror është negativ në 66 komuna.

Sociologu Raufi thotë se kjo ndodh shkaku i mungesës së shumë nevoja që çifteve iu nevojiten para martesës, që të mund të krijojnë një familje të shëndoshë. Në pamundësi të krijimit të këtyre kushteve, shtohet numri i divorceve, apo edhe i atyre që vendosin të mos martohen aspak.

“Sot përballemi me një dinamikë të zhvillimit të shoqërisë dhe krijimit të disa nevojave të cilat në fillim, para se të lidhim kurorën nuk është se i mendojnë shumë dhe me kalimin e viteve të gjitha këto problematika sociale ndikojnë tek mirëqenia e një martese të shëndoshë dhe pikërisht për këtë apo antagonizmat që mund të lindin mes çiftit ndodh edhe divorci”, theksoi Denis Raufi – Sociolog.

Në tremujorin e parë të këtij viti, ka rënë edhe numri i foshnjave të lindura madje për 4.1 për qind.

Trending