Ndërsa qeveria e re e Peter Magyar paralajmëron se Hungaria nuk do të jetë më strehë për politikanë të dënuar, mediat hungareze zbulojnë se Nikola Gruevski ka siguruar prej vitesh pasaportën që mund ta mbrojë nga kthimi në Shkup.
Kur Peter Magyar fitoi zgjedhjet në Hungari, një nga mesazhet e tij më të forta ishte se vendi nuk do të vazhdonte të shërbente si strehë për politikanë të dënuar apo të kërkuar nga drejtësia. Mes emrave që përmendi ishte edhe ai i ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili prej vitit 2018 jeton në Budapest pas arratisjes spektakolare nga vendi i tij.
Deklaratat e Magyar ndezën shpresat në Shkup se pas shtatë vitesh mund të hapej rruga për ekstradimin e Gruevskit, ndaj edhe Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut rifilloi procedurat dhe kërkoi dokumentacionin e nevojshëm nga gjykatat për të përgatitur një kërkesë të re.
Por një zhvillim i ri duket se mund të ndryshojë tërësisht situatën.
Portali investigativ hungarez “VSquare”, duke cituar burime brenda qeverisë hungareze, raportoi se Nikola Gruevski ka marrë shtetësinë hungareze që në vitin 2022, bazuar në atë që përshkruhet si “interes shtetëror hungarez”.
Sipas medias hungareze, Gruevski vazhdon të jetojë në Budapest dhe statusi i ri juridik e bën pothuajse të pamundur ekstradimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut.
“Pozicioni i Gruevskit është shumë më i sigurt. Azili politik mund të hiqet, por shtetësia është një çështje krejt tjetër dhe shumë më e vështirë për t’u revokuar”, shprehen mediat.
Lajmi ka shkaktuar reagime në Shkup. Ministria e Drejtësisë deklaroi se po ndjek me vëmendje raportimet, por theksoi se pavarësisht çdo informacioni jozyrtar, Gruevski mbetet shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe subjekt i vendimeve të formës së prerë të drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë po monitoron nga afër informacionin e publikuar në lidhje me pretendimet se Nikola Gruevski ka fituar shtetësinë hungareze. Pavarësisht spekulimeve dhe informacioneve jozyrtare, Nikola Gruevski mbetet shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe person që i nënshtrohet vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe procedurave aktive”, thuhet në reagimin zyrtar.
Institucioni shtoi se procedura për ekstradimin e tij vazhdon dhe se autoritetet maqedonase do të ndërmarrin të gjitha hapat ligjorë dhe diplomatikë në komunikim me Hungarinë.
Gruevski u arratis nga Maqedonia e Veriut në nëntor të vitit 2018, pak para se të niste vuajtjen e një dënimi me burg për korrupsion. Rruga e arratisjes së tij kaloi përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, përpara se të mbërrinte në Budapest, ku qeveria e Viktor Orbán i dha azil politik.
Që nga largimi i tij, ndaj Gruevskit janë dhënë disa vendime të tjera gjyqësore, me dënime që në total kalojnë 10 vite burg. Ai është dënuar në dosjet “Tank”, “Dhuna në Qendër” dhe “Parcelat në Vodno”, ku u shpall fajtor për korrupsion dhe pastrim parash.
Ndërkohë, sipas mediave hungareze, ish-kryeministri maqedonas ka ndërtuar një jetë të re në Budapest. Në vitin 2021 ai themeloi kompaninë e konsulencës “I.C.I.C Kf”, e cila vijon aktivitetin e saj dhe sipas dokumenteve financiare ka gjeneruar të ardhura të rregullta gjatë viteve të fundit.
Zbulimi se Gruevski mund të ketë marrë shtetësinë hungareze e vendos qeverinë e re të Peter Magyar përballë një prove të vështirë politike. Nëse më herët premtimet për kthimin e politikanëve të strehuar në Hungari dukeshin të realizueshme, rasti i Gruevskit mund të rezultojë shumë më kompleks.
Për momentin, Shkupi këmbëngul se procedurat për ekstradimin vazhdojnë. Por pasaporta hungareze mund të jetë pengesa më e madhe me të cilën është përballur ndonjëherë përpjekja për ta rikthyer ish-kryeministrin përpara drejtësisë maqedonase.










