Trendy

Shtohet varësia nga produktet e huaja, rriten me 16% importet e ushqimeve në janar-prill

Para 3 javë

Artikujt ushqimore pësuan rritje të ndjeshme të importeve për 4-mujorin e parë të vitit 2026, duke përfshirë edhe ato mallra që Shqipëria ka të gjitha kapacitetet dhe kushtet klimatike t’i prodhojë vetë.

Sipas dhënave zyrtare nga INSTAT sasia e përgjithshme e importeve të ushqimeve shënoi rritje me 16.1% në janar -prill 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shqetësimi më i madh lidhet me faktin se po dështojmë të plotësojmë nevojat tona me prodhim vendas për produktet bazë të shportës dhe bujqësisë, në një kohë që rritja e numrit të turistëve duhet të ishte një mundësi e madhe për nxitjen e prodhimit vendas.

Konkretisht, importi i zarzavateve ka pësuar rritje prej 14.0%, e ndjekur nga frutat dhe arrat e ngrënshme të cilat kanë shënuar një rritje prej 11.0%. Po ashtu, një rritje prej 10.0% është regjistruar edhe në importin e produkteve te bulmetit, vezëve dhe mjaltit.

Ky trend tregon se në vend që të konsumojmë prodhimet e freskëta të fermerëve shqiptarë, paratë e konsumatorëve vendas po shkojnë për të financuar bujqësinë e vendeve të tjera, duke zhvlerësuar potencialin prodhues të vendit.

Përtej produkteve të freskëta, zgjerimi i importeve është edhe më i vrullshëm në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore dhe bujqësore. Rritjen më të madhe rekord e kanë shënuar farat vajore dhe bimët industriale apo medicinale, importi i të cilave ka kërcyer me 140.3%.

Importet e drithërave gjithashtu janë rritur me 30.3%. Adi Haxhiymeri një nga importuesit më të mëdhenj të drithërave tha se blerjet jashtë vendit u nxiten pas luftës në Iran nga frika e bllokimeve të mundshme dhe rritjes së çmimeve.

Në këtë panoramë të përgjithshme rritjeje, vetëm një numër i kufizuar kategorish kanë shënuar rënie të importeve. Peshku e kafshët guackore pësuan rënie me 13.9%. Rënie më të lehta kanë pësuar edhe sheqernat e ëmbëlsirat me 7.8%, si dhe grupi i kafesë, çajit dhe erëzave me 1.7%.

Rritja e importeve të zarzavateve dhe frutave në këto nivele dëshmon se prodhuesit vendas po humbin terren përballë konkurrencës së huaj, e cila shpesh është e mirësubvencionuar.

Nga ana tjetër fermerët tanë përballen me kosto të larta të lëndëve të para, ku nafta, plehrat kimike, fidanët dhe inputet e tjera bujqësore shpesh janë më të shtrenjta se në vendet e rajonit. Kjo bën që çmimi final i produktit vendas të jetë më i lartë se ai i produkteve që vijnë nga jashtë, duke favorizuar importet ne vend të prodhimit vendas.

Trending