Trendy

“Është gjallë dhe po angazhohet gjithnjë e më shumë”, Rubio zbulon rolin e liderit suprem të Iranit

Para 2 orë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se beson se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, është gjallë dhe po merr një rol gjithnjë e më aktiv në drejtimin e vendit, pavarësisht spekulimeve të fundit mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Rubio u pyet për situatën e liderit iranian, i cili nuk është shfaqur publikisht që pas sulmeve të para të luftës, ku humbi jetën i ati dhe disa prej figurave më të larta ushtarake të Iranit.

“Mendoj se ka indikacione se ai po angazhohet gjithnjë e më shumë në një nivel të caktuar”, deklaroi Rubio.

Sipas “CNN”, inteligjenca amerikane vlerëson se Khamenei po luan një rol kyç në përcaktimin e strategjisë së luftës, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të regjimit iranian.

Kreu i diplomacisë amerikane foli edhe për negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor iranian, duke paralajmëruar se procesi pritet të jetë i gjatë dhe kompleks.

Rubio u shpreh se çdo hap i mëtejshëm kërkon fillimisht angazhimin e Iranit për rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e lirisë së lundrimit.

“Faza e dytë është që ata duhet të angazhohen për negociata shumë specifike mbi asgjësimin e uraniumit të pasuruar shumë që është ende i varrosur thellë në një mal diku”, tha ai.

Sekretari amerikan shtoi se Teherani duhet të pranojë kufizime afatgjata dhe të rrepta mbi aktivitetin e pasurimit të uraniumit.

“Këto janë çështje shumë teknike, kështu që nuk mendoj se mund t’i zgjidhni brenda pesë ditësh. Kjo do të kërkonte që një ekip ekspertësh të takohej gjatë një periudhe 30, 60 apo 90-ditore dhe të përpunonte detajet”, u shpreh Rubio.

Ai zbuloi gjithashtu se Irani ka shfaqur gatishmëri për të diskutuar disa aspekte të programit të tij bërthamor, por paralajmëroi se negociatat nuk garantojnë domosdoshmërisht një marrëveshje përfundimtare.

“Ata kanë rënë dakord të negociojnë aspekte të programit të tyre bërthamor, por kjo nuk është garanci se në fund do të kemi një marrëveshje të pranueshme për Senatin apo për popullin amerikan”, deklaroi Rubio.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar lehtësim të menjëhershëm të sanksioneve në këmbim të hapjes së Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se çdo vendim i tillë do të varet nga përmbushja e kushteve konkrete nga ana e Iranit.

Trending