Trendy

Hezbollahu refuzon armëpushimin në Liban

Para 6 orë

Lideri i Hezbollah-ut, Naim Qassem, ka refuzuar publikisht armëpushimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për Libanin, duke deklaruar se grupi nuk do të heqë dorë nga rezistenca dhe nuk do të pranojë çarmatosjen.

Në një letër drejtuar mbështetësve të tij, të publikuar nga televizioni Al-Manar, Qassem kërkoi një armëpushim të plotë dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territori libanez.

“Objektivi kryesor duhet të jetë sovraniteti i Libanit, i cili mund të arrihet vetëm me një zgjidhje: fundin e agresionit izraelit kundër Libanit”, tha ai.

Sipas kreut të Hezbollah-ut, Izraeli nuk mund të ketë “dorë të lirë” për të kryer sulme në Liban, ndërsa shtoi se ushtria libaneze duhet të vendoset në jug të lumit Litani vetëm pas tërheqjes së forcave izraelite.

Qassem e cilësoi marrëveshjen e propozuar si “absurde, poshtëruese dhe turpëruese” për Libanin, duke pretenduar se një pjesë e madhe e popullsisë e kundërshton atë.

“Dorëzimi i armëve të Hezbollah-ut do të thotë shkatërrimi i fuqisë së Libanit dhe do të përbënte një kërcënim ekzistencial për popullin e tij”, deklaroi ai.

Lideri i grupit shiit akuzoi gjithashtu Izraelin se po përpiqet të arrijë në tavolinën e negociatave atë që nuk arriti në fushën e betejës.

“Israeli po përpiqet të arrijë politikisht atë që dështoi ta arrinte ushtarakisht”, tha Qassem.

Ai hodhi poshtë edhe negociatat e drejtpërdrejta mes Libanit dhe Izraelit, duke i quajtur ato një “farsë”, ndërsa u bëri thirrje zyrtarëve libanezë që t’i japin fund bisedimeve.

Sipas burimeve pranë Hezbollah-ut, qëndrimi i Qassemit është koordinuar me Iranin. Një burim i lidhur me grupin i tha mediave se Teherani pritet ta vendosë armëpushimin në Liban si kusht në çdo marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, burime pranë qeverisë libaneze vlerësuan se deklarata synon kryesisht opinionin publik dhe skenën e brendshme politike, ndërsa zhvillimet reale do të varen nga situata në terren dhe kontaktet diplomatike mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Trending