Trendy

U vendos gurthemeli i sallës sportive në Rashçe

Para 3 orë

Pas 12 vite pritje sot në fshatin Rashçe u vendos gurëthemeli i sallës sportive të shkollës fillore komunale ‘Drita’ të fshatit Rashçe. Gurëthemel ky i premtuar prej vitesh për nxënësit e këtij fshati, tashmë po bëhet realitet dhe pritjes i erdhi fundi. Realizimi i këtij projekti parasheh që të krijojë kushte më të mira për edukimin, zhvillimin fizik dhe afirmimin e talenteve të nxënësve. Ndërkaq drejtoresha e shkollës fillore komunale ‘Drita’ të fshatit Rashçe, Linda Kovaçi në fjalën e saj thotë se kjo ditë është e veçantë për të gjithë pasi për 12 vite radhazi kanë qenë në pritje të realizimit të këtrij projekti.

Linda Kovaçi, drejtoresha e shkollës fillore komunale ‘Drita’ të fshatit Rashçe

“Për më së shumë se 12 vite keni pritur që ky projekt të realizohet, gjatë këtyre viteve kemi dëgjuar shumë premtime, keni pasur shumë shpresa, por sot me krenari po vendosim së bashku gurëthemelin e sallës sportive që për kaq gjatë i ka munguar shkollës tonë. Kjo sallë sportive është më shumë se një objekt ndërtimor, ajo është një investim për të ardhmen e fëmijëve tanë, për shëndetin, edukimin, talentin dhe suksesin e tyre”.

Ndërkaq kryetari i komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi thotë se me vendosjen e këtij gurëtrhemeli po vendoset edhe gurëthemeli i një premtimi të bërë gjatë zgjedhjeve të fundit lokale. Ai thotë se komuna e Sarajit nuk do të jetë komunë që pret të zgjidhen problemet vetëvetiu, por do të jetë komunë që vepron.

Muhamed Elmazi, kryetari i komunës së Sarajit

“Çdo fëmijë meriton kushte dinjitoze për zhvillim, çdo nxënës meriton hapësirë ku do të ushtrojë sport, të zhvillojë talentin dhe të ndërtojë shprehi të shëndetshme. Ne e dimë se pritshmëritë e qytetarëve janë të mëdha për këtë arsye nuk do të ndalemi me kaq, do të vazhdojmë të punojmë në çdo vendbanim, në çdo lagje dhe në çdo kategori qytetarësh, ky gurëthemel është dëshmi se kur egziston vullneti projektet nuk mbeten vetëm në letër”.

Ndërkaq zëvendësministri i arsimit dhe shkencës, Driton Sulejmani thotë se këtë projekt e ka përkrahur ministria e arsimit dhe shkencës me vlerë prej 1 milion eurove. Ai thotë se janë aty për të garantuar se në të ardhmen nxënësit nuk do të ballafaqohen më me kushte të tilla të vështira.

Driton Sulejmani, zëvendësministër i arsimit dhe shkencës

“Me hedhjen e këtij gurëthemeli dhe me shpresë se shumë shpejtë do të përfundojnë punimet e kësaj salle, ne jemi këtu për të garantuar se në të ardhmen nxënësit nuk do të ballafaqohen më me kushte të tilla të vështira”.

Tutje ai thotë se ministria e arsimit është e koncentruar në përmirësimin e kushteve jo vetëm për salla sportive por edhe të ambienteve të shkollave sepse vlerësojnë se kushtet në të cilat nxënësit e ndjekin procesin edukativo-arsimor kanë ndikim të vceçantë në ngritjen e cilësisë së arsimit.

Trending