Adnan Azizi, i është kundërpërgjigjur kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, pas deklaratave të këtij të fundit në përvjetorin e partisë.
Në një postim, Azizi thekson se koha kur shqiptarët mund të shantazhoheshin me armë dhe me kujtimet e luftës ka përfunduar, duke shtuar se askush nuk i ka borxh askujt sakrificën e familjeve shqiptare për përfitime personale.
“Nuk mund t’i shantazhosh më shqiptarët me pushkë. Askush nuk ta ka borxh gjakun e fëmijëve që ti të bësh një Soravi tjetër”, shkroi Azizi.
Ai porositi BDI-në që të pranojë rolin e opozitës dhe të kërkojë rikthimin në pushtet përmes reformimit të brendshëm dhe fitimit të besimit të qytetarëve, e jo përmes, siç tha ai, përdorimit të vazhdueshëm të retorikës së luftës.
“Opozita është për burra! Reformohuni, fitoni besimin e popullit dhe bujrum, merrni pushtetin”, theksoi Azizi.
Në fund, ai u shpreh se shqiptarët nuk duhet të përdoren më si mjet për realizimin e interesave politike apo ekonomike të individëve të caktuar, duke shtuar se “shqiptarët nuk kanë më evlad për t’i sakrifikuar për bizneset e Ali Ahmetit”.










