Tifozët e Shkëndijës, Ballistët, kanë reaguar publikisht përmes një apeli drejtuar faktorit politik shqiptar, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, duke kërkuar angazhim për, siç thonë ata, ndalimin e ndërhyrjeve politike në sport dhe garantimin e drejtësisë në futboll, përcjell tetova1
Në reagimin e tyre, Ballistët akuzojnë pushtetin dhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) për favorizim të një klubi në dëm të klubeve të tjera, duke kërkuar që institucioni përgjegjës për organizimin e garave sportive të mbetet neutral dhe i paanshëm.
Ata shprehin pakënaqësi edhe ndaj deklaratës së fundit të FFM-së, për të cilën vlerësojnë se sulmon zyrtarët e klubit dhe lë të kuptohet se çështja është e mbyllur.
Po ashtu, Ballistët kërkojnë tërheqjen dhe rishqyrtimin urgjent të dënimit të shqiptuar ndaj Shkëndijës pas finales së Kupës, të cilin e cilësojnë si të padrejtë, skandaloz dhe të paprecedentë.
Në fund, ata shprehen të zhgënjyer që, sipas tyre, deri më tani nuk ka pasur reagim nga blloku politik shqiptar, duke vlerësuar se çështja ka kaluar nga një problem sportiv në një çështje politike. Ballistët paralajmërojnë se janë duke diskutuar edhe veprime konkrete nëse nuk ndryshon qasja ndaj klubit.
Apeli i plotë i Ballistëve:
“APEL !!! 🚨
Deri te faktori politik shqiptar, të çfarëdo subjekti (pozitë, opozitë) të ndërmerr masa që pushteti (vmro) të heq duart nga sporti, dhe ffm si institucion përgjegjës për organizimin e ngjarjeve sportive të qëndrojë neutrale dhe e sinqertë, të ndalojë me favorizimin e një klubi në dëm të klubeve tjera, si dhe të ketë drejtësi në ndeshjet e futbollit.
Ffm me deklaratën e fundit hapur sulmon zyrtarë të klubit duke i quajtur arrogantë të vetëpëlqyer, duke shprehur idenë se çështja është e mbyllur dhe se nuk mund të bëni asgjë. Në qoftë se sot ffm dënon Shkëndinë paushall, a thua vallë deri ku do të shkojë kjo qasje e tyre armiqësore.
Në gjithë këtë situatë, sa i përket dënimit drakonik, skandaloz dhe të padrejtë për ndeshjen finale të kupës me vlerë totale 105,000 euro, kërkojmë urgjentisht të tërhiqet vendimi dhe të hudhet në rishikim për uljen e tij. Në bazë të dënimeve për ngjarje të njejta për klube tjera na jepet të kuptojmë se dënimi për Shkëndijën është i qëllimshëm, i padrejtë dhe se asnjëherë në histori të vendit nuk është dënuar ndonjë klub futbolli me këtë masë.
Kanë kaluar disa muaj që kur ne kemi shprehur shqetësime të ngjashme, andaj shtrohet pyetja përse ende nga blloku politik shqiptar nuk është ngritur zëri pasi më kjo çështje nga sportive ka kaluar në politike e që fatkeqësisht nuk duhet të jetë aspak e tillë‼️
Ballistët po diskutojnë për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në qoftë se nuk ndryshohet qasja ndaj klubit tonë.”/tetova1.mk










