Trendy

SHBA shqyrton uljen e pranisë ushtarake në Evropë

Para 3 orë

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e reduktimit të numrit të trupave amerikane të dislokuara në Evropë, si pjesë e një përpjekjeje për të ulur kostot dhe për të rishikuar angazhimet ushtarake të SHBA-së jashtë vendit.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Pentagoni po analizon opsione të ndryshme që mund të përfshijnë tërheqjen ose zhvendosjen e mijëra ushtarëve nga disa vende evropiane.

Qëllimi është të sigurohet një përdorim më efikas i burimeve financiare dhe ushtarake.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë dhjetëra mijëra trupa në Evropë, të vendosura kryesisht pas nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022, me synimin për të forcuar mbrojtjen e aleatëve të NATO-s dhe për të frenuar kërcënimet e mundshme nga Rusia.

Mbështetësit e reduktimit tē trupave  argumentojnë se Evropa duhet të marrë një barrë më të madhe për mbrojtjen e saj, ndërsa SHBA-të duhet të përqendrojë më shumë burime në sfida të tjera globale, përfshirë rajonin e Indo-Paqësorit.

Nga ana tjetër, kritikët paralajmërojnë se një tërheqje e konsiderueshme e forcave amerikane mund të dobësojë aftësinë parandaluese të NATO-s dhe të dërgojë sinjale të gabuara në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike.

Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, por debati pasqyron diskutimet më të gjera mbi rolin e SHBA-ve në sigurinë evropiane dhe ndarjen e përgjegjësive mes aleatëve të NATO-s.

Trending