Uroj dhe shpresoj që së paku protestuesit e manipuluar të reflektojnë. Të mos biem pre e konkurrentëve dhe gjitha agjenturave që “fërkojnë duart” që plasi sherri edhe në Shqipëri, e jo vetëm në Serbi e Maqedoni!
Shkruan: Akademik Abdylmenaf Bexheti
Si dhe shumë të tjerë, që të mos më “vërsulen” ambientalistët dhe pronarët (se për të tjerët nuk çaj kokë), paraprakisht deklarohem se jam pro-ambientit dhe planetit për ekuilibër dhe zhvillim të qëndrueshëm! Këtë e kam dëshmuar edhe përgjatë protestave për ambient në Maqedoni. Kam qenë në radhët e para, përderisa asokohe e mbyllëm ndotësin kryesor: Jugohromin!
E drejta për protesta është në bazën e të drejtave të njeriut dhe e pakontestueshme, bile është edhe qytetari që i sjell vlerë të shtuar gjithë shoqërisë.
Njëkohësisht, gjithandej ka shumë arsye të protestohet, posaçërisht për interesin publik dhe qytetar. Ka shumëçka që nuk shkon më së miri dhe të protestosh për përmirësim të qeverisjes jo që është e drejtë, por është edhe obligim qytetar.
Gjithashtu, prona është e shenjtë dhe duhet mbrojtur, padyshim kur nuk funksionon shteti i së drejtës, edhe me protesta dhe bile me të gjitha mjetet!
Deri këtu, për të gjitha arsyet e lartpërmendura jam PRO të gjithë protestuesve dhe solidarizohem me ata.
Për të qenë sa më i bazuar, konsultova edhe ligjin që rregullon kufijtë dhe vijën bregdetare: shumë saktë definohet deri ku mund të jetë prona private në bregdet, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Nga vija e fundit e valëve nga stuhia e detit plus 5 metra gjerësi përtej (si zonë e gjelbër), është pronë publike.
Në radhët e protestuesve gjenden grupe me arsye të shumëllojshme: nga ambientalistët e deri te ata kundër qeverisjes jo të mirë dhe posaçërisht kundër korrupsionit të lartë! Të gjitha këto grupe janë legjitime. Por ka edhe shumë të tjerë që s’kanë lidhje me kauzën ambientale, e aq më pak për të drejtën e pronës.
Ka shumë të pakënaqur nga humbja e pronave publike që i shfrytëzonin gjithandej me dekada pa leje e pagesa, se janë me dhjetëra mijëra hektarë që iu kthyen publikut. Se rendin se kemi fort qejf kur nuk na shkon për shtati!
Patjetër që korrupsioni duhet të luftohet me të gjitha resurset. SPAK po bën të vetën, edhe pse mund të ketë shumë obstruksione.
Kur konkurrentët (për të mos thënë armiqtë) e Shqipërisë dhe shqiptarëve bashkohen në përpjekjet për t’i lidhur gënjeshtarët në njërën anë dhe injorantët (xhahilët) në anën tjetër, atdheu është në rrezik!
Të protestosh kundër investitorëve zhvillimorë nën pretekstin e ambientit apo edhe pronave që fare nuk janë të rrezikuara, jo që është e pakuptimtë, por tërësisht i bën protestat e dyshimta. Po si të mos dyshohet kur armiqtë shekullorë të kombit shqiptar dhe të vetë Shqipërisë po entuziazmohen ,,cep e më cep”!
Krahas tyre, bile po entuziazmohen edhe miqtë e Shqipërisë, me një arsye të reduktimit të konkurrencës dhe ngulfatjes së avantazhit konkurrues në industrinë e turizmit. Mos u habitni, bile edhe Italia mike, Franca e avancuar e Spanja pacifiste!
Kjo sepse investitorët potencialë (si ata nga SHBA-ja ashtu edhe nga Katari) jo që janë strategjikë e me kapital të dëshmuar nga pastërtia, por janë kryekëput zhvillimorë. Mjafton të vizitoni webfaqen e Power Holdingut, bashkëpronësi e vëllezërve Alkhayatt, e do të kuptoni se për çfarë investitori bëhet fjalë.
S’ka një sektor tjetër ekonomik me shumëzues (multiplikator) më të lartë e më të shpejtë (aty për aty) në zhvillimin vendor sesa turizmi.
Të dashur miq,
Po ku ishte Shqipëria para 10 viteve? Nëse arrinte 1 milion turistë, prej të cilëve mbi 80% ishin vetë shqiptarët e rajonit, sot ka shkuar në mbi 12 milionë turistë në vit me tendencë permanente të rritjes. Aeroporti i Tiranës, për nga numri i udhëtarëve, ia kaloi edhe atij të Beogradit!
Po ku ishte infrastruktura rrugore në Shqipëri? Për të shkuar nga Tetova në Vlorë na nevojiteshin mbi 10 orë e sot është përgjysmuar, bile së shpejti edhe më pak. Në pikun e verës, na duheshin mbi 2 orë, që t’i kalonim vetëm rrethrrotullimet e Fierit! Na duheshte edhe po aq nga hyrja në Vlorë (te rrethrrotullimi i Nartës) e deri në Orikum.
Po a ju kujtohet rruga bregdetare e Vlorës ku palmat e vjetra ishin brenda tarracave të shtëpive në breg! Sot, Vlora përfundon edhe “Lungo Mare-n” 3! Po a ju kujtohet si ishin sheshet e të gjitha qyteteve më të mëdha – nga Shkodra, Durrësi, Fieri, Vlora… e deri në Sarandë. Po si mund t’i harroni shëtitoret e Dhërmiut, Himarës, Jalit e shumë qytezave të tjera bregdetare, ku këmbësorët rrezikoheshin nga vozitësit e djersitur dhe temperamentë për t’u futur deri te shezloni me veturë?
Si duket ne shqiptarët kemi dy veti negative njëkohësisht: pak lexojmë e shpejt harrojmë. Po a nuk ju kujtohet thënia e popullit: “Sa herë që bie shi në Llogora, Orikumi drita s’ka”!
Po çka është ky nihilizëm, mo?
Krejt në rregull, të gjitha këto janë bërë me resurset publike (taksat e qytetarëve) dhe jo paratë e Ramës! Po pse nuk u bënë më herët?
Sidoqoftë, uroj dhe shpresoj që së paku protestuesit e manipuluar të reflektojnë. Të mos biem pre e konkurrentëve dhe gjitha agjenturave që “fërkojnë duart” që plasi sherri edhe në Shqipëri, e jo vetëm në Serbi e Maqedoni!










