Ndryshimet në Ligjin për Automjete kaluan filtrin e parë parlamentar. Propozim-ligji parashikon vendosjen e rregullave të reja për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve përmes stacioneve të autorizuara për kontroll teknik, të cilat do të mund ta kryejnë këtë procedurë pasi të marrin autorizim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Për marrjen e autorizimit është paraparë kompensim prej 60.000 denarë, ndërsa përcaktohen edhe kushtet që duhet t’i plotësojnë personat juridikë, mënyra e mbajtjes së evidencës dhe shkëmbimi elektronik i të dhënave me MPB-në.
Me ndryshimet mundësohet që stacionet e autorizuara për kontroll teknik të kryejnë vazhdimin e regjistrimit të automjeteve tashmë të regjistruara dhe të lëshojnë vërtetim për automjet të regjistruar, i cili barazohet me vulën në lejen e qarkullimit ku regjistrimi do të mund të kryhet në të gjithë territorin e shtetit.










