Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, në një deklaratë publike ka theksuar se lufta kundër krimit ekonomik, kontrabandës, korrupsionit dhe formave të tjera të veprimtarive të paligjshme mbetet ndër prioritetet kryesore të institucionit, transmeton Zyrtare.
Sipas tij, përmes kontrolleve të shtuara, hetimeve të detajuara dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, janë arritur rezultate konkrete në zbulimin dhe ndjekjen e autorëve të veprave penale.
Dauti bëri të ditur se në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë dorëzuar 213 kallëzime penale kundër 443 personave fizikë dhe 160 personave juridikë.
Ai theksoi se në 196 raste është konstatuar dëm ndaj Buxhetit në vlerë prej 102 milionë denarësh, ndërsa janë paraqitur edhe 40 kallëzime penale për kontrabandë, 39 për mashtrim doganor, 85 për falsifikim dokumentesh, shtatë për prodhim dhe qarkullim të drogave narkotike si dhe shtatë për tregti të paligjshme me armë.
Sipas Dautit, 103 kallëzime penale lidhen me vepra të kryera me 232 automjete, ndërsa shërbimet doganore kanë dërguar 450 kërkesa për verifikimin e origjinës së mallrave tek autoritetet kompetente të huaja. Në 223 raste është konstatuar se provat për origjinën e mallrave kanë qenë të pavlefshme.
Ai njoftoi gjithashtu se janë kryer 71 verifikime të faturave të importit dhe janë hapur 15 hetime financiare kundër 19 personave fizikë dhe nëntë personave juridikë.
“Çdo ditë po identifikohen raste të reja, ndërsa shumë veprimtari të paligjshme po zbardhen dhe po marrin epilog institucional”, deklaroi Dauti, duke shtuar se përkushtimi i institucioneve është vendimtar për vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit.





