Lidhja Shqiptare ka reaguar lidhur me transmetimin e ndeshjeve të Kampionatit Botëror në futboll, duke shprehur pakënaqësi për mungesën e komentimit në gjuhën shqipe për publikun shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Sipas reagimit, për më shumë se dy dekada Kampionati Botëror është transmetuar përmes televizionit publik dhe televizioneve private në vend, duke u mundësuar të gjithë qytetarëve qasje të barabartë në këtë ngjarje sportive me interes të lartë publik.
Lidhja Shqiptare thekson se të drejtat e transmetimit këtë vit janë siguruar nga Arena Sport, ndërsa për publikun maqedonas është mundësuar komentim në gjuhën maqedonase. Megjithatë, sipas tyre, për shqiptarët nuk është siguruar komentim në gjuhën shqipe, gjë që e konsiderojnë si përjashtim nga qasja e barabartë gjuhësore.
“Nuk është siguruar as komentim në gjuhën shqipe dhe as qasje e barabartë gjuhësore, duke krijuar një diskriminim të qartë kulturor dhe gjuhësor në një ngjarje me interes publik”, thuhet në reagim.
Më tej, organizata vlerëson se kjo nuk është vetëm çështje teknike apo komerciale, por pasqyron mungesën e standardeve të barazisë në një shtet multietnik, ku gjuha shqipe, sipas tyre, vazhdon të mos trajtohet në mënyrë të barabartë në hapësirat publike.
Lidhja Shqiptare kërkon përgjegjësi institucionale dhe rishikim të mënyrës se si garantohen të drejtat e barabarta të qytetarëve në qasjen ndaj përmbajtjeve me interes publik.










