Trendy

Izraeli sulmon Bejrutin, Hezbollahu: Irani s’nënshkruan marrëveshjen bërthamore pa tërheqjen nga Libani

Para 4 orë

Milicia libaneze Hezbollahu deklaroi se Irani nuk do të nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare bërthamore me Shtetet e Bashkuara nëse Izraeli nuk tërhiqet plotësisht nga territori libanez.

Sipas zyrës së marrëdhënieve me median të Hezbollahut, e cila foli për agjencinë Reuters, Teherani ka dhënë garanci të qarta për këtë qëndrim. Hezbollahu theksoi se tërheqja izraelite nuk është parakusht për fillimin e raundit të dytë të bisedimeve, i cili pritet të nisë me nënshkrimin e një marrëveshjeje kornizë midis SHBA-së dhe Iranit.

“Nuk do të ketë asnjë marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nëse izraelitët nuk tërhiqen”, thanë përfaqësuesit iranianë.

Kjo deklaratë vjen në një moment tensioni të lartë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka refuzuar dje çdo mundësi tërheqjeje të menjëhershme të forcave izraelite nga zonat e pushtuara në Liban, duke theksuar se ushtria izraelite do të qëndrojë aty “për aq kohë sa të jetë e nevojshme për sigurinë e Izraelit”.

Ndërkohë, forcat izraelite kanë intensifikuar veprimet ushtarake. Sulme ajrore të reja kanë goditur disa zona në distriktin Nabatieh në jugun e Libanit, raportoi Al Jazeera. Artileria izraelite ka shënjestruar gjithashtu zonën Ali al-Taher në të njëjtin rajon.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ende nuk kanë dhënë koment zyrtar mbi sulmet e fundit. Presidenti amerikan Donald Trump, duke folur për situatën, tha se Izraeli ka luftuar Hezbollahun “për shumë kohë” dhe u bëri thirrje udhëheqësve izraelitë, veçanërisht Benjamin Netanyahu, që të jenë “më të përgjegjshëm”.

Trending