Trendy

BDI bën thirje për Marsh Protestues në Tetovë të premten ora 20:00

Para 2 orë

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Tetovë ka mbajtur mbledhje me strukturat partiake në prani të liderit të partisë, Ali Ahmeti, ku është diskutuar për çështjen e emërtimit të rrugëve në Tetovë dhe zhvillimet e fundit lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përcjell tetova1

Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka bërë të ditur se strukturat e partisë kanë vendosur të mos heshtin ndaj asaj që ai e cilëson si akt poshtërues ndaj historisë, identitetit dhe dinjitetit të Tetovës.

Sipas Rexhepit, pas mospranimit të kërkesës për seancë urgjente nga Komuna e Tetovës dhe arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se komuna për gati një vit nuk u është përgjigjur kërkesave për dokumentacion, krijohet përshtypja se nuk bëhet fjalë për pakujdesi, por për bashkëautorësi.

Ai thekson se çështja nuk lidhet vetëm me emrat e rrugëve, por me, siç shprehet, përpjekjet për të mohuar historinë, trashëgiminë dhe të arriturat shqiptare të ndërtuara ndër vite.

Rexhepi ka bërë thirrje që të premten, më 26 qershor, në ora 20:00, qytetarët të bashkohen në marshin protestues që do të nisë nga Sheshi Iliria në Tetovë.

Postimi i plotë i Bajram Rexhepit:

“TETOVA NË KËMBË: HISTORIA NUK ABROGOHET❗️

Sot, në mbledhjen e strukturave partiake të BDI – Dega Tetovë, në prani të liderit Ali Ahmeti, u vendos qartë: Tetova nuk do të heshtë përballë këtij akti poshtërues ndaj historisë, identitetit dhe dinjitetit të saj.

Pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës sonë për seancë urgjente dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, ku dëshmohet se për gati një vit Komuna katër herë nuk i është përgjigjur kërkesave për dokumentacion, bëhet e qartë se kjo nuk është pakujdesi, por bashkëautorësi.

Kjo nuk është vetëm çështje emrash rrugësh. Është tentativë për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo të arritur shqiptare të ndërtuar me sakrificë në 20 vitet e fundit.

Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare. Këtu kanë nisur dhe do të nisin lëvizjet që i çojnë shqiptarët përpara. Prandaj, nuk pranojmë të kthehemi pas dhe nuk pranojmë asgjë më pak se dinjitetin tonë të plotë.

Të premten, më 26 qershor, në ora 20:00, nga Sheshi Iliria, ftojmë çdo qytetar, çdo intelektual, çdo zë të lirë dhe çdo atdhetar, pa dallim bindjeje politike, të bashkohet në Marshin Protestues.

Eja edhe ti. Zëri yt është zëri i Tetovës!”/tetova1.mk

Trending