Kanë kaluar 18 vite nga Rasti “Alfa”. Tetëmbëdhjetë vite gjatë të cilave janë ndërruar qeveri, ministra, deputetë, gjyqtarë dhe prokurorë. Tetëmbëdhjetë vite gjatë të cilave janë dhënë deklarata, janë mbajtur konferenca për media dhe janë bërë premtime se drejtësia do të vihet në vend. Megjithatë, për familjet e Agim Islamit dhe të ndjerit Rexhail Qerimi, koha duket sikur ka mbetur e ngrirë në të njëjtën pikë.
Sidomos në vitet e fundit, pas publikimit të dokumenteve, intervistave dhe ekspertizave të prezantuara nga Pa Censurë, rasti u rikthye fuqishëm në opinionin publik. Politikanë të shumtë shqiptarë folën hapur për të. Disa ngritën dyshime mbi procesin, disa kërkuan rishqyrtim, ndërsa të tjerë deklaruan se e vërteta duhet të dalë në shesh.
Në janar të vitit 2022, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi publikisht se “drejtësia është vonuar, por e drejta do të vendoset”. Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se kishte bindjen se Agim Islami nuk duhej të ishte aty ku ndodhej. Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, deklaroi se të gjithë duhet të kontribuojnë që e vërteta të dalë në shesh. Deputeti Rexhail Ismaili e cilësoi publikisht rastin si të montuar.
Ishin deklarata të forta. Deklarata që krijuan shpresë tek familjarët. Deklarata që bënë shumë njerëz të besonin se më në fund po afrohej dita kur institucionet do të jepnin përgjigje. Për herë të parë pas shumë vitesh, familjet ndjenë se nuk ishin vetëm. Se dikush po i dëgjonte. Se dikush po e kuptonte peshën e asaj që po kërkonin.
Në ndërkohë, Rexhail Qerimi ndërroi jetë. Vdiq pa e dëgjuar përgjigjen që e kishte pritur për vite me radhë. Vdiq pa e parë ditën kur institucionet do të jepnin një epilog përfundimtar për rastin që kishte shënuar jetën e tij. Ndërsa Agim Islami vazhdon të jetë në burg dhe vazhdon të presë që dikush t’i shqyrtojë pretendimet, dëshmitë dhe ekspertizat që mbrojtja i ka paraqitur ndër vite.
Sepse gjatë këtyre 18 viteve pati reagime. Pati njerëz që folën. Pati familjarë që nuk u dorëzuan asnjëherë. Pati media që vazhduan ta trajtojnë rastin. Madje pati edhe protestë.










