Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka urdhëruar hapjen e hetimeve kundër një 51-vjeçari, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij më 25 qershor në zonën e fshatit Letevci.
Sipas njoftimit të prokurorisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë një konflikti familjar, kur i dyshuari e ka marrë bashkëshorten me automjet nga vendi i saj i punës dhe e ka çuar në një zonë të izoluar. Aty, sipas hetimeve, ai e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas ngjarjes, i dyshuari e ka fshehur trupin dhe më pas ka raportuar në polici se gruaja ishte zhdukur. Disa ditë më vonë, ai u ka thënë disa personave se dinte vendndodhjen e saj, duke i çuar në vendin ku më pas është gjetur trupi dhe është njoftuar policia.
Prokuroria vlerëson se ekziston rrezik për arratisje dhe ndikim te dëshmitarët, ndaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.










