Gjermania është goditur nga një vapë rekord, dhe sa më të larta të jenë temperaturat, aq më shumë njerëz përfundojnë në spital. Por sa mirë janë të mbrojtur vetë pacientët nga vapa në spitale? Spitali Universitar Hamburg-Eppendorf (UKE) është i përgatitur mirë: ka shumë pemë të vjetra në oborrin e tij, ka dhe një park përballë rrugës, hardhi të egra dhe bime të tjera rriten në fasadat e ndërtesave të caktuara.
Bimët në fasadat e ndërtesave gjithashtu kanë një efekt ftohës sepse parandalojnë rrezet e diellit të ngrohin drejtpërdrejt muret. “Janë vendosur edhe stola nën pemë në mënyrë që pacientët e lëvizshëm, vizitorët dhe punonjësit të mund të qëndrojnë në hije”, thotë Frank Dzukowski, kreu i Departamentit të Qëndrueshmërisë së UKE. Spitali i Hamburgutzhvilloi një plan gjithëpërfshirës për mbrojtje nga nxehtësia tre vjet më parë.
Gjithnjë e më shumë ditë me nxehtësi ekstreme
Për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, Evropa po ngrohet veçanërisht shpejt, dhe në Gjermani ka gjithnjë e më shumë ditë me temperatura më të larta se 30 gradë Celsius.
Në vitet 1950, kishte vetëm disa ditë të tilla në shumicën e verave, dhe rreth tetë ditë me nxehtësi ekstreme ishin të mjaftueshme për ta konsideruar vitin si rekord të ngrohtë. Deri në vitet 1980, rekordi ishte dhjetë ditë të tilla. Në vitin 2000, kishte tashmë 19 prej tyre, dhe në dekadën e kaluar, vitet rekord regjistruan më shumë se 20 ditë me temperatura mbi 30 gradë.
Temperaturat e larta përbëjnë një rrezik serioz për trupin e njeriut. Veçanërisht të rrezikshme janë valët e nxehtësisë, d.m.th. periudhat kur temperaturat rriten në 30 ose më shumë gradë për disa ditë rresht, dhe nuk bien nën 20 gradë natën.
Si e dëmtojnë valët e nxehtësisë trupin
Nëse jemi të ekspozuar ndaj temperaturave të larta për një kohë shumë të gjatë, sistemi natyror i ftohjes së trupit mund të mbingarkohet, gjë që mund të shkaktojë skuqje, dhimbje në pulpa ose ënjtje të këmbëve. Nxehtësia veçanërisht ushtron një presion në sistemin kardiovaskular, dhe pasojat mund të jenë marramendje, dhimbje koke, lodhje dhe madje edhe vdekje për shkak të goditjes nga nxehtësia.
Rritja e temperaturave e kombinuar me rritjen e lagështisë, mund të çojë gjithashtu në infeksione më të shpeshta të lëkurës dhe shërim të ngadaltë të plagëve, veçanërisht nëse ndryshimi i klimës ndikon edhe në ndryshimet në shpërndarjen e baktereve. Përveç kësaj, nxehtësia mund të rrisë ose ulë efektin e disa ilaçeve.
Temperaturat e larta janë veçanërisht të rrezikshme për njerëzit mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe foshnjat e fëmijët e vegjël.
Nxehtësia mbush spitalin
Vetëm gjatë dy verave jashtëzakonisht të nxehta të viteve 2018 dhe 2019 në Gjermani, rreth 15,500 njerëz vdiqën si pasojë e ekspozimit ndaj nxehtësisë. Modelet për Gjermaninë parashikojnë që deri në mesin e shekullit numri i vdekjeve shtesë të lidhura me nxehtësinë mund të kalojë 5,000 në vit.
Rregulli tashmë zbatohet: sa më shumë ditë me nxehtësi ekstreme, aq më shumë njerëz kanë nevojë për trajtim spitalor. Përveç pasojave të drejtpërdrejta të nxehtësisë, më shumë aksidente dhe ndërhyrje nga shërbimet e urgjencës regjistrohen gjithashtu gjatë ditëve shumë të nxehta.
Por lind pyetja: a janë pacientët në spitale të mbrojtur mjaftueshëm nga nxehtësia?
Në vitin 2024, Instituti Gjermani Spitalit kreu një anketë midis 289 spitaleve nëse ata kishin futur më shumë masa për mbrojtjen nga nxehtësia krahasuar me vitin e kaluar. 60 përqind u përgjigjën negativisht.
Spitalet e papërgatitura mjaftueshëm
Arsyeja kryesore pse nuk zbatohet mbrojtje më e mirë nga nxehtësianë spitale është mungesa e parave, deklaruan 96 përqind e të anketuarve. Shumë spitale dekurajohen nga masat shtesë nga barra e rëndë administrative. “Duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike, shumë institucione aktualisht kanë përparësi të tjera”, thuhet në raport.
Sipas mendimit të Shoqatës Gjermane të Spitaleve (DKG), situata nuk ka ndryshuar ndjeshëm as në vitin 2026. Kjo organizatë jofitimprurëse përfaqëson interesat e spitaleve në Gjermani.
Presidenti i Bordit Drejtues të DKG-së, Gerald Gaß, kritikon faktin se shtetet federale nuk kanë përmbushur detyrimin e tyre për të financuar kostot reale të investimit të spitaleve për dekada të tëra. “Në praktikë, kjo shpesh do të thotë që spitalet preferojnë të investojnë burime të kufizuara në kujdesin shëndetësor të drejtpërdrejtë, siç është blerja e pajisjeve mjekësore ose riparimet emergjente, sesa në instalimin e sistemeve të ajrit të kondicionuar.” Prandaj, spitalet duhet të gjejnë mënyra për të ftohur ambientet e tyre me koston më të ulët të mundshme.
Spitalet kanë nevojë për më shumë para
Ka rekomandime të shumta që përfshijnë masa të lira për t’u mbrojtur nga nxehtësia, siç janë rrobat e punës më të lehta, batanijet më të holla, një dietë e përshtatur për temperaturat e larta ose instalimi i një makine uji të pijshëm.










