Trendy

Besar Durmishi prezanton bilancin dyvjeçar: Më shumë investime, vende pune dhe mbështetje për qytetarët

Para 3 orë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, prezantoi sot rezultatet e dy viteve të punës së Ministrisë, duke theksuar se prioritetet kryesore të institucionit kanë qenë mbrojtja e standardit të jetesës së qytetarëve, krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i klimës afariste dhe tërheqja e investimeve të reja.

Në adresimin e tij para mediave, Durmishi deklaroi se gjatë kësaj periudhe Ministria ka zbatuar reforma dhe politika konkrete me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe ekonomia e vendit.

“Që nga dita e parë kemi vendosur prioritete të qarta dhe kemi punuar për rezultate konkrete. Objektivi ynë ka qenë mbrojtja e standardit të qytetarëve dhe krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, deklaroi ministri Durmishi.

Një nga arritjet kryesore të prezantuara ishte zbatimi i politikave aktive të punësimit dhe Garancisë për të Rinjtë, përmes së cilës mbi 26 mijë të rinj kanë dalë nga statusi i papunësisë nëpërmjet punësimit, arsimit ose përfshirjes në masa aktive të tregut të punës.

Sipas ministrit, vetëm gjatë vitit 2025 janë siguruar më shumë se 2,5 miliardë denarë për masat aktive të punësimit, ndërsa për vitin 2026 janë planifikuar 2,41 miliardë denarë të tjerë për mbështetjen e mbi 10 mijë qytetarëve përmes programeve të vetëpunësimit, stazhit, rikualifikimit dhe punësimit të subvencionuar.

Durmishi theksoi se Ministria ka ndërmarrë gjithashtu hapa të rëndësishëm për modernizimin e legjislacionit të punës dhe forcimin e dialogut social, duke rikthyer në funksion Këshillin Ekonomik dhe Social dhe duke ulur pragun e përfaqësueshmërisë së sindikatave nga 10 në 5 për qind.

Në fushën e ekonomisë dhe biznesit, ministri vuri në pah optimizimin e 28 taksave parafiskale, hartëzimin e 100 procedurave administrative që do të thjeshtohen dhe procesin e digjitalizimit të shërbimeve për kompanitë.

Një vend të rëndësishëm në prezantimin e rezultateve zuri edhe mbështetja e investimeve. Sipas Durmishit, në Buxhetin e vitit 2026 janë siguruar 1,23 miliardë denarë për mbështetjen financiare të kompanive që investojnë dhe krijojnë vende të reja pune.

Ai veçoi edhe investimin e ri të kompanisë CAVO Otomotiv në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale në Tetovë, me vlerë prej 21 milionë eurosh dhe potencial për hapjen e rreth 550 vendeve të reja të punës.

Në përfundim të adresimit të tij, ministri Besar Durmishi theksoi se reformat do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me fokus në rritjen e investimeve, forcimin e kompanive vendore dhe përmirësimin e standardit të jetesës për qytetarët.

“Puna jonë vazhdon me të njëjtin qëllim – më shumë investime, më shumë vende pune, kompani më të forta dhe standard më të mirë jetese për çdo qytetar”, deklaroi Durmishi.

Trending