Trendy

Protestuesja: Mos bini në kurthin e dhunës, vetëm kështu rrëzohet Rama

Para 2 orë

Një tjetër fjalim me tone të forta është mbajtur në protestën e ditës së 37-të para Kryeministrisë, ku një protestuese u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë karakterin paqësor të lëvizjes.

Duke folur nga podiumi, ajo deklaroi se suksesi i protestës varet nga shmangia e çdo akti dhune, ndërsa e cilësoi sistemin aktual si një “diktaturë oligarkike”.

Nëse rrëshqasim në dhunë, dështon misioni i kësaj proteste, e cila kërkon fundin e këtij tranzicioni. Ky tranzicion është një diktaturë oligarkike, është e një oligarkie të ngritur në nivelin e një mafia ndërkombëtare! Dhe koka është vetë qeveria,” deklaroi protestuesja.

Ajo u shpreh se protesta ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe se rrëzimi i qeverisë duhet të vijë si rezultat i qëndresës qytetare.

Rrëzimi i Ramës është detyrë e protestës, jo e institucioneve që mund të ngrihen në emër të protestës. Pasi të rrëzohet Rama, atëherë të ngrihen institucione, qoftë edhe një Kuvend i protestës! Këtë vlerë solli protesta“, u shpreh ajo.

Protesta e ditës së 37-të po vijon para Kryeministrisë me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, të cilët prej më shumë se një muaji kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të klasës politike. Gjatë tubimit kanë vijuar thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Atdheu është i yni”, ndërsa organizatorët kanë përsëritur se protesta do të mbetet paqësore.

Trending