Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi se Shqipëria do të jetë vendi pritës i samitit të ardhshëm të Aleancës, duke sqaruar një çështje që kishte mbetur e paqartë pas publikimit të deklaratës përfundimtare të Ankarasë.
I pyetur në konferencën për shtyp nëse samiti do të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm, Rutte u përgjigj se vendimi për vendin pritës është marrë që në Samitin e Hagës.
“Samiti i ardhshëm do të jetë në Shqipëri. Ky ishte vendimi i marrë në Hagë. Kemi samitin në Ankara dhe më pas samitin e radhës në Shqipëri”, deklaroi ai.
Megjithatë, Rutte shmangu të konfirmojë nëse samiti do të zhvillohet në vitin 2027, duke lënë të hapur mundësinë e një shtyrjeje.
“Sigurisht, ne ende duhet të vendosim për kohën e saktë”, u shpreh kreu i NATO-s.
Deklarata e tij vjen pasi dokumenti përfundimtar i Samitit të Ankarasë nuk përfshiu asnjë referencë për vendin apo datën e samitit të ardhshëm, duke u mbyllur vetëm me fjalinë: “Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare të Turqisë. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm”.
Në dokumentin e miratuar të mërkurën, aleatët riafirmojnë angazhimin për mbrojtjen kolektive dhe zbatimin e objektivave të reja të mbrojtjes.
Deklarata bën të ditur se vendet evropiane të NATO-s dhe Kanadaja kanë rritur gjatë vitit 2025 investimet në mbrojtje me mbi 139 miliardë dollarë, ndërsa në Samitin e Ankarasë u njoftuan edhe mbi 50 miliardë dollarë kontrata të reja për prokurime ushtarake dhe zgjerimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes.
Po ashtu, aleatët zotohen të vijojnë mbështetjen për Ukrainën, duke premtuar 70 miliardë euro ndihmë ushtarake, pajisje dhe trajnim gjatë vitit 2026, si edhe të ruajnë të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore, ndërsa i bëhet thirrje Teheranit të respektojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Më herët, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, kishte deklaruar për Bloomberg se Shqipëria mbetet vendi i planifikuar për samitin e ardhshëm, por se ende nuk është vendosur nëse ai do të zhvillohet në vitin 2027 apo do të shtyhet për një vit më vonë.










