Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, ka reaguar pasi, së bashku me deputetët e VLEN-it Adnan Azizi dhe Bekim Qoku, nuk u lejua të hyjë në territorin e Shqipërisë, transmeton Zyrtare.
Përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, Murtezani ndau vargun e njohur patriotik: “Ti, Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqiptar”, të shoqëruar me flamurin kombëtar shqiptar.
Reagimi i tij vjen pas raportimeve se autoritetet shqiptare nuk lejuan hyrjen në Shqipëri të Murtezanit, Azizit dhe Qokut, një ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një sqarim zyrtar lidhur me arsyet e moslejimit të hyrjes së tre zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.










