Të 110 mijë rastet e mashtrimit social që janë përmendur në media në Gjermani nuk pasqyrojnë të gjithë situatën, pasi supozohet se ekziston një “numër i lartë rastesh të paregjistruara”. Kështu e citon gazeta gjermane “Welt am Sonntag” një zëdhënëse të Ministrisë Federale të Punës. “Keqpërdorimi i përfitimeve sociale shpesh mbetet i pazbuluar, sepse institucionet e ndryshme përgjegjëse nuk janë të ndërlidhura ose nuk bashkëpunojnë mjaftueshëm mes tyre”, thuhet më tej në raport.
Tendenca në rritje
Sipas të dhënave zyrtare, qendrat e punësimit (Jobcenter) nisën vitin e kaluar pothuajse 134 mijë procedura hetimore. Në rreth 110 mijë raste, dyshimet u konfirmuan ose u paraqitën kallëzime penale për shkak të dyshimeve të bazuara. Kjo përbën 6,8 për qind më shumë raste të keqpërdorimit të përfitimeve sociale, ose dyshimeve për një keqpërdorim të tillë, krahasuar me një vit më parë. Ndër rastet e regjistruara përfshihen edhe shkeljet administrative. Sipas Ministrisë gjermane të Punës, dëmi financiar nga mashtrimet me përfitimet sociale nuk mund të përcaktohet me saktësi. Arsyeja është se as Ministria e Punës dhe as Ministria e Brendshme nuk disponojnë “të dhëna të strukturuara që do të mundësonin llogaritjen e shumës së dëmeve financiare”, thuhet në njoftimin e gazetës Welt am Sonntag.





