Partia Opsioni Qytetar për Maqedoninë – GROM njoftoi se kryetari i saj, Stevçe Jakimovski, ka shkuar vullnetarisht për ta vuajtur dënimin me burg prej gjashtë muaj e gjysmë. Nga partia shprehën zhgënjim për vendimin e Gjykatës Penale, duke theksuar se Jakimovski është dënuar për vendosjen e objekteve të përkohshme në Komunën e Karposhit.
Nga GROM pretendojnë se me këtë aktgjykim po ushtrohet presion politik dhe se drejtësia është selektive.
Sipas tyre, nuk është marrë parasysh as gjendja shëndetësore e Jakimovskit, i cili, siç theksojnë, është pacient onkologjik. Përndryshe, Jakimovski është dënuar me aktgjykim të formës së prerë me një vit burg për ndërtimin e paligjshëm të objektit të komunës në Karposh. Në dënimin e shqiptuar do t’i llogariten edhe pesë muajt që i ka kaluar në arrest shtëpiak.










