Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është deklaruar para mediave pas takimit tre orësh me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin.
Ai tha se s’ka marrëveshje me LDK-në për krijimin e institucioneve të reja, raporton IndeksOnline.
Kurti deklaroi se është i gatshëm për t’i vazhduar takimet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhkun për të arritur një marrëveshje rreth krijimit të institucioneve të reja.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi, pra diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësi që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike”, tha Kurti.
Kurti bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar edhe shqetësimet që kanë të dyja palët, duke theksuar se ka vërejtur gatishmëri për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin.
“Diskutuam një sërë çështjesh që lidhen me zhvillimet politike, situatën institucionale dhe sfidat që na presin. Shkëmbyem edhe shqetësimet që kemi të dyja palët, por njëkohësisht pashë vullnet dhe përkushtim për të punuar së bashku edhe në të ardhmen”, deklaroi ai.
Tutje Kurti tha se komunikimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke nënvizuar se asnjëra palë nuk e sheh si zgjidhje mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Askush nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje të reja. Megjithatë, nëse nuk arrijmë marrëveshje dhe nuk shënojmë përparim, atëherë, pavarësisht se nuk është dëshira jonë, ato mund të bëhen të pashmangshme. Për këtë jemi të vetëdijshëm si ne në Lëvizjen Vetëvendosje, ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Prandaj do të angazhohemi maksimalisht që të vazhdojmë komunikimin dhe takimet”, tha Kurti. (IndeksOnline)










