Trendy

Masakra me tre viktima në restorantin në SHBA, identifikohet 23-vjeçarja që u vra teksa ishte në punë

Para 6 orë

Është identifikuar një nga viktimat e sulmit me armë që tronditi shtetin amerikan të Idaho-s, ku një person i armatosur hapi zjarr në një restorant In-N-Out Burger, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur disa të tjerë.

Viktima është Ashley Garibay, 23 vjeçe nga Stockton, Kaliforni, e cila punonte në restorantin e sapohapur në qytetin Twin Falls. Ajo ndodhej në shërbim kur 24-vjeçari Chad Williams hyri i armatosur me një pushkë dhe nisi të qëllonte ndaj klientëve dhe punonjësve.

 

Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga familjarë dhe miq përmes postimeve prekëse në rrjetet sociale.

 

“Zemra më thyhet kur shoh fotografitë e tua dhe e kuptoj se tani do të mbeten vetëm kujtime”, shkroi një nga shoqet e saj, Alissa Juarez.

 

Edhe nëna e Ashley-t, Sabrina Garibay, publikoi një fotografi të tyre së bashku në Facebook, ndërsa dhjetëra persona shprehën ngushëllimet dhe kujtuan 23-vjeçaren si një vajzë të sjellshme dhe plot jetë.

 

Presidentja e kompanisë In-N-Out Burger, Lynsi Snyder, shprehu dhimbjen për humbjen e punonjëses së re.

 

“Ajo kujdesej për pasurinë tonë më të rëndësishme – klientët tanë. Jeta e saj u mor nga një njeri që nuk vlerësonte jetën e të tjerëve dhe as të tijën. Do të qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë punonjësve që përjetuan këtë ngjarje tragjike”, deklaroi Snyder.

 

Ashley Garibay ishte një nga tre personat që humbën jetën në sulm.

 

Mes viktimave është edhe Cristopher Claunch, 59 vjeç, i cili kishte vizituar restorantin për herë të parë pas hapjes së tij më 24 korrik.

Trending