Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa ambasadori amerikan në Turqi dhe i dërguari i posaçëm për Sirinë, Tom Barrack, ka deklaruar se një sulm amerikan ndaj Teheranit mund të ndodhë që këtë fundjavë. Presidenti Donald Trump, nga ana tjetër, është shprehur se nuk ka dijeni për një mundësi të tillë.
Gjatë një interviste me influencuesin Mario Nawfal, Barrack u pyet nëse Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin një operacion ushtarak kundër Iranit brenda ditëve të ardhshme.
“A mund të ndodhë një sulm këtë fundjavë? Sigurisht”, u përgjigj ai, duke mos e përjashtuar këtë skenar.
Megjithatë, diplomati amerikan theksoi se presidenti Trump vazhdon të jetë i hapur ndaj një marrëveshjeje me Iranin. Sipas tij, Uashingtoni dhe Teherani kanë zhvilluar negociata prej muajsh, pavarësisht tensioneve mes dy vendeve.
I pyetur nga gazetarët për deklaratën e Barrack, presidenti amerikan u shfaq i rezervuar dhe tha se nuk ishte në dijeni të një plani të tillë.
“E tha këtë ambasadori ynë në Turqi? Ai është një njeri shumë i fuqishëm. Nuk kam dijeni për diçka të tillë”,deklaroi Trump.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë ngecur, pas muajsh përshkallëzimi të konfliktit dhe sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit.
Trump ka deklaruar disa herë se do të marrë një vendim lidhur me Iranin, por ka lënë të kuptohet se një vendim i tillë mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për më 3 nëntor.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Teheranit. Ai ka deklaruar se, sipas tij, eliminimi i kërcënimit iranian kërkon rrëzimin e regjimit në Iran.
Pavarësisht deklaratës së Barrack, mbetet e paqartë nëse Uashingtoni po shqyrton konkretisht një sulm të afërt apo nëse bëhet fjalë për një mundësi që nuk përjashtohet në kuadër të tensioneve aktuale.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












