Edhe krahas numrit të shtuar të kërkesave për dokumente personale gjatë periudhës së verës, veçanërisht edhe për shkak të numrit të madh të emigrantëve tanë që qëndrojnë në vend në këtë kohë, procesi i lëshimit të dokumenteve të udhëtimit po ecën pa probleme dhe pa vonesa, informuan nga Ministria e Punëve të Brendshme për MIA-n.
Gjatë korrikut janë pranuar rreth 55.000 kërkesa për lëshimin e dokumenteve personale, përfshirë dokumentet e udhëtimit, ndërsa afati për paraqitjen e kërkesës në procedurë të rregullt pranohet brenda një deri në dy ditësh. Qytetarët i marrin dokumentet brenda maksimumi shtatë ditësh, theksojnë nga MPB-ja.
Masat organizuese kanë mundësuar afate më të shkurtra
Nga Ministria theksojnë se kjo është hera e parë që në korrik dhe gusht, periudha kur ka fluksin më të madh të qytetarëve nga diaspora, që procedura është kryer me një dinamikë të tillë dhe pa kohë më të gjata pritjeje. Kjo, siç thonë ata, është rezultat i masave organizative të ndërmarra dhe optimizimit të proceseve të punës.
Ministria e Punëve të Brendshme, theksojnë në përgjigjen e tyre për MIA-n, ka kapacitete të mjaftueshme për t’iu përgjigjur numrit të shtuar të kërkesave gjatë periudhës së verës, në mënyrë që të gjithë qytetarët, përfshirë edhe emigrantët që qëndrojnë në vend gjatë pushimeve vjetore, të marrin dokumentet e tyre të udhëtimit në kohën e duhur.











