Trendy

Arratiset i burgosuri gjatë pauzës së gjykimit në Strumicë

Para 1 orë

Një i burgosur i cili po transportohej nga burgu i Shtipit për në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Strumicës ka arritur të arratiset gjatë një pauze të procedurës gjyqësore.

​Sipas informacioneve, i burgosuri në momentin e incidentit ishte nën mbikëqyrjen e dy pjesëtarëve të policisë së burgut. Gjatë pauzës ai ka kërkuar leje për të shkuar në tualet, ndërsa gjatë daljes ka shtyrë njërin nga policët dhe është dhënë menjëherë në arrati.

​Pavarësisht se kishte prangat në duar, i burgosuri ka arritur t’u ikë zyrtarëve policorë dhe të largohet nga ndërtesa e gjykatës.

​Pas arratisjes janë njoftuar menjëherë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike, ndërsa policia po ndërmerr të gjitha masat për lokalizimin dhe kapjen e tij.

​Nga ana tjetër, në burgun e Shtipit është formuar një komision i cili duhet të hetojë në detaje rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktojë nëse ka pasur lëshime në detyrë nga ana e policisë së burgut.
​Pas përfundimit të procedurës së brendshme pritet të bëhet e ditur se çfarë mase përgjegjësie do të merret ndaj zyrtarëve përgjegjës për shoqërimin dhe sigurinë e të burgosurit.

Trending