Komuna e Tetovës njofton qytetarët se më 24.08.2026 (e hënë), në bashkëpunim me SH.T.P.SH. PRONTTO SHPKPV, do të realizohet dezinsektimi nga toka në territorin e qytetit të Tetovës, me qëllim zhdukjen e mushkonjave të rritura dhe dëmtuesve të tjerë, përcjell tetova1
Dezinsektimi do të realizohet në mbrëmje, pas orës 22:00, dhe do të vijojë deri në orët e hershme të mëngjesit.
Sipas Komunës, procesi do të zhvillohet vetëm në kushte të përshtatshme atmosferike. Në rast të reshjeve të shiut ose erërave të forta, dezinsektimi do të shtyhet për ditën e ardhshme ose për një ditë tjetër, kur kushtet atmosferike të jenë të përshtatshme.
Sipas planit të përgatitur paraprakisht, ekipet do të përfshijnë të gjitha lokacionet e parapara në specifikacionin teknik.
Komuna ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë procesit, veçanërisht për bletarët, të cilët këshillohen të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e koshereve dhe bletëve.
“Gjatë kohës së dezinsektimit kërkohet kujdes dhe respektim i masave mbrojtëse. Në veçanti, bletarët këshillohen të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e koshereve dhe bletëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Tetovës.
Komuna e Tetovës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin./tetova1.mk











