Një sulm me shpatë ka tronditur të premten një shkollë të mesme në qytetin Fagersta, në Suedinë qendrore, ku disa persona mbetën të plagosur. Autoritetet konfirmuan se agresori u ndalua nga policia pas ndërhyrjes në ambientet e shkollës.
Sipas komunës së Fagerstas, një person i armatosur me shpatë hyri në shkollën Brinellskolan dhe plagosi disa persona. Menjëherë pas incidentit, policia rrethoi zonën dhe nisi kontrolle brenda ndërtesës.
Media suedeze Aftonbladet raportoi se i dyshuari, i cili dyshohet se mbante një hanxhar, u qëllua në këmbë nga policia. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të të plagosurve apo gjendjen e tyre shëndetësore.
Në vendngjarje u mobilizua një forcë e madhe emergjente, me ambulanca, automjete policie dhe një helikopter policie. Për arsye sigurie, disa shkolla të tjera në zonën përreth u vendosën përkohësisht nën bllokim.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë barrierat e sigurisë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat dhe motivin e sulmit.
Incidenti rikthen vëmendjen te dhuna e rëndë në institucionet arsimore në Suedi. Në shkurt 2025, një sulm me armë në një qendër edukimi për të rritur në Örebro la të vrarë 10 persona, ndërsa në mars 2022, një 18-vjeçar vrau dy mësues në një shkollë të mesme në Malmö.
Një tjetër sulm tragjik ndodhi në vitin 2015 në Trollhättan, ku tre persona humbën jetën në një sulm me motive raciste. Edhe në atë rast, autori ishte i armatosur me shpatë dhe u qëllua për vdekje nga policia. (A2 Televizion)











