Pesë vjet pas tragjedisë që mori jetën e 14 personave në Spitalin Modular të Tetovës, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje për përgjegjësinë lidhur me shkaqet e zjarrit. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit javën e kaluar e mbylli hetimin për prokurimin dhe ndërtimin e 19 spitaleve modulare, pa gjetur përgjegjësi penale, ndërsa një hetim tjetër për rastin, i nisur në vitin 2023, ende nuk ka përfunduar. Ndërkohë, dy ish-drejtorë të Spitalit të Tetovës janë dënuar për mosvendosjen e pajisjeve kundër zjarrit, por jo për shkaktimin e zjarrit. Familjarët e viktimave thonë se pas pesë vitesh pritje janë të zhgënjyer dhe ndihen të braktisur nga drejtësia, shkruan Portalb.mk.
Familjarë të zhgënjyer
Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij në tragjedinë e spitalit, i tha Portalbit se pas pesë viteve kishin ende shpresë se do të ketë drejtësi, por pas vendimit të fundit të prokurorisë ndihen të zhgënjyer.
“Kishim shpresë ende që prokuroria të sjell epilog, por e vendosi qershinë mbi tortë prokurori Islam Abazi, njëjtë si Krenar Lloga që e shpëtoi Mijallkovin. Kjo klasë politike e han turpin me bukë, vetëm premtime aspak vepra”, the Emshi.
Pas pesë vitesh heshtje u mbyll rasti në të cilin ishin të përfshirë Venko Filipçe dhe Koço Angjushev
Pas pesë vitesh në procedurë parahetimore Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit javën a kaluar e mbylli dosjen “Spitali Modular” dhe nuk gjeti fajtorë për një nga tragjeditë më të mëdha kombëtare. Kjo lëndë u hap dy ditë më vonë pasi ndodhi tragjedia.
Asnjë nga zyrtarët shtetërorë përgjegjës dhe individët e përfshirë nga komuniteti i biznesit nuk do të mbahen përgjegjës për vdekjen e 14 viktimave në zjarrin në spitalin modular në Tetovë.
Vendimi u njoftua nga prokurorja që e udhëhoqi rastin, Verica Berzhecka Krsteva, e shoqëruar nga shefi i saj nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi.
Prokurorja shpjegoi se hetimi paraprak kishte qenë i orientuar vetëm drejt keqpërdorimeve të mundshme financiare dhe keqpërdorimeve të pozitës zyrtare gjatë furnizimit të 19 spitaleve modulare që u përdorën për hospitalizimin e pacientëve me COVID.











