Rreth 5,600 banesa janë evakuuar në Berlin, pasi autoritetet gjetën një bombë të Luftës së Dytë Botërore në një kanal në lagjen Neukölln.
Policia ka vendosur një perimetër sigurie prej 500 metrash rreth zonës ku u zbulua bomba dhe ka urdhëruar largimin e banorëve deri në përfundimin e operacionit.
Masa nuk prek vetëm banesat. Brenda perimetrit të evakuimit ndodhen edhe një azil për të moshuarit, një strehë për personat e pastrehë dhe një qendër kujdesi ditor.
Bomba u zbulua mëngjesin e së hënës në fund të kanalit, pranë Zonenallee, një zonë e frekuentuar tregtare në Neukölln.
Autoritetet përcaktuan se bëhet fjalë për një bombë të Luftës së Dytë Botërore me peshë rreth 100 kilogramë.
Pas nxjerrjes nga uji, ekipet e specializuara e vendosën bombën mbi një platformë lundruese.
Autoritetet kanë planifikuar transportimin e bombës me vinç drejt bregut. Më pas, ekspertët e çminimit do të ndërhyjnë për neutralizimin e saj.
Operacioni i evakuimit ka nisur dhe pritet të zgjasë disa orë. Autoritetet kanë sistemuar përkohësisht banorët e larguar nga shtëpitë në zona të sigurta.
Policia dhe ekipet e specializuara do të mbajnë të izoluar perimetrin prej 500 metrash deri në përfundimin e operacionit dhe neutralizimin e bombës.











