Shkruan: Sermet Sulejmani
SHEHOLLËT E MAQEDONISË
Dosjet e një kohe që nuk heshtin
Ka të vërteta që mund të shtyhen në skajet e kujtesës, të mbulohen me pluhurin e viteve, të lyhen me bojën e propagandës e madje të rishkruhen nga duart e atyre që kanë interes të groposin një periudhë shtatëdhjetëvjeçare të përndjekjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Por ekziston një kufi përtej të cilit historia nuk pranon të fshihet.
E vërteta mund të vonojë, të heshtë e të presë nën hijen e kohës, por nuk vdes. Herët a vonë, ajo del nga një fotografi e vjetër, nga një emër i harruar në një dosje arkivi, nga kujtesa e një familjeje të persekutuar apo nga plagët e atyre që nuk u mbyllën kurrë.
Ndoshta kjo është frika më e madhe e atyre që i shërbyen një sistemi shtypës: jo vetëm se historia një ditë do t’i gjykojë, por se do t’i nxjerrë me emër e mbiemër.
Sa absurde është që, kur i takon ballë për ballë, në vend që të skuqen ata nga e kaluara e tyre, skuqemi ne. Jo nga frika, por nga pafuqia për t’u dhënë atëherë drejtësinë që ende ua kemi borxh.
Ish-të burgosurit politikë shqiptarë e dinë çfarë do të thoshte të mbylleshe mes katër muresh, të torturoheshe jo për një krim ordiner, por për një ide, një bindje politike, një ëndërr për bashkim kombëtar. Shumë u kthyen nga burgjet me flokë të thinjur, u plakën para kohe; disa vdiqën në mjerim, të tjerë u zhdukën pothuajse krejtësisht nga kujtesa publike.
Dhe mbi ta, edhe sot, dëgjohet jehona e një etikete të vjetër: “enverist!”
Një fjalë që shpesh nuk përdoret për të shpjeguar të kaluarën, por për ta mjegulluar atë. Një perde pas së cilës disa ish-bashkëpunëtorë përpiqen të fshehin jo vetëm historinë e tyre mjerane, por edhe historinë e një sistemi që përndoqi mijëra njerëz.
Në vitet ’80 dhe ’90, veçanërisht pas demonstratave të vitit ’81, për shqiptarët e ish-Jugosllavisë ishte një kohë kolere dhe inkuizicioni: një fjalë e thënë në vendin e gabuar mund të bëhej dëshmi; një shoqëri e gabuar, një dosje; një bindje e shfaqur hapur, akuzë kundërrevolucionare. Pas çdo dere burgu kishte një derë tjetër që hapej vetëm për hetuesin.
Sot, shumë prej atyre që e ushqyen dhe e përkrahën atë mekanizëm kanë vdekur ose janë pensionuar. Por sistemi nuk u zhduk bashkë me ta. Në shumë raste, trashëgimia e tij vazhdoi përmes posteve, privilegjeve, lidhjeve dhe ndikimit. Bashkë me të u trashëgua edhe heshtja.
Në Maqedoni, hapja e dosjeve të ish-shërbimeve sekrete, në vitet 1998–2000, ishte e kufizuar dhe selektive. Disa prej atyre që u identifikuan në dosjet e shokëve tanë të ilegales si bashkëpunëtorë të UDB-së, ishin të paktë dhe u heshtën; disa të tjerë, spiunë dhe bashkëpunëtorë të ish-sistemit, vazhduan jetën sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Pak prej tyre patën guximin ta përballonin publikisht të kaluarën.
Disa u shndërruan në “intelektualë”, disa në klerikë me nam, disa në “elita politike”, disa në “veteranë të arsimit e të shkencës”, të mbështjellë me tituj e dekorata, e disa në imamë me nam në xhami. Të tjerë, pasardhës të tyre, hynë në politikë dhe në institucionet e reja, ndërsa viktimat mbetën me plagët dhe kujtimet e veta.
Këtu nis paradoksi i tranzicionit në Makondo: pehlivanët e vjetër ndërruan kostumin, gjuhën dhe postin, por jo gjithmonë shpirtin e inkuizicionit politik. Disa prej tyre madje filluan të jepnin leksione për demokracinë.
Në këtë histori të heshtur, Sheholli dhe shehollët tanë në Maqedoni nuk janë thjesht emra. Ata janë një metaforë, një identikit i atyre që jetuan në hijen e dosjeve, që survejuan, raportuan, përndoqën dhe i shërbyen një sistemi që i trajtonte shqiptarët si objekt dyshimi e kontrolli. Shehollët mund të ndërrojnë emra, poste e kostume politike, por dosja e tyre mbetet pjesë e kujtesës sonë.
Në Kumanovën time, dhe jo vetëm, ka ende njerëz që kanë paguar me vite burg për bindjet e tyre politike e kombëtare. Disa jetojnë me plagët e asaj kohe, ndërsa ata që i kishin ndjekur e survejuar vazhduan të jetojnë me autoritet e ndikim, edhe sot, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Unë këtë nuk e kam mësuar vetëm nga librat. E kam ndjerë në lëkurën time, e kam parë në fytyrat e shokëve të mi të ilegales dhe e kam dëgjuar në zërat e njerëzve që ktheheshin të dërmuar nga hetuesit dhe xhelatët e tyre.
Në vitin 1994, pas një “ftese për kafe” në zyrat e UDB-së në Kumanovë, u mora në pyetje nga një ish-oficer policie, i njohur në Kumanovë për brutalitetin ndaj të burgosurve shqiptarë. Sapo u ula, më tha:
– As ti, as shokët e tu s’paskeni ndryshuar. Jeni po ajo racë që ende e mbani në kokë ëndrrën e Shqipërisë së Madhe.
– Jo, – iu përgjigja. – Jemi për një Shqipëri Etnike.
Ai nxori revolen dhe u përpoq të më trembte.
– Kam menduar se një ditë do të provoni të hakmerreni ndaj meje. Por nuk mundeni. Ne edhe sot ju mbajmë nën survejim me anë të bashkëkombësve tuaj.
E pashë drejt në sy.
– Jo. Hakmarrja jonë nuk është si e juaja. Ne njohim një gjuhë tjetër, me kode shumë të lashta. Dënimi ynë është t’ju lëmë të jetoni me frikën e një historie që nuk ju harron. Ajo do t’ju ndjekë deri në varr.
Më kapi për mëngën e këmishës dhe më hodhi në korridor, si të isha një leckë.
Edhe sot them se kujtesa jonë nuk duhet të kthehet në hakmarrje. Ajo nuk duhet të kërkojë gjak, por drejtësi.
Drejtësia fillon me të drejtën për të ditur. Dhe ne këtë po e kërkojmë:
Çfarë ndodhi? Kush e bëri? Kush urdhëroi? Kush heshti? Kush po përfiton ende sot nga ai shërbim sekret serb? Dhe a e pagoi çmimin dikush për këtë?
Këto janë pyetje që një shoqëri e lirë nuk duhet t’i ketë frikë.
Burgosjet, torturat, survejimet dhe përndjekjet e shqiptarëve për bindjet e tyre politike e kombëtare nuk mund të mbyllen me një fjali ceremoniale dhe as të varrosen nën një marrëveshje politike për t’i mbyllur këto plagë.
Nuk kemi nevojë për gjakun e askujt. Për emrat, dokumentet, dëshmitë dhe arkivat – po!
Në emër të kujtesës mund të kontrollosh një institucion, të urdhërosh një polici, të mbyllësh një njeri në burg dhe të vendosësh dry mbi një derë, por nuk mund të vendosësh dry mbi kujtesën e një populli përgjithmonë.
Historia nuk harron. Ajo vetëm hesht. Hesht deri në ditën kur Ajo vendos të flasë.
Dhe kur flet, nuk pyet nëse ti je gati ta dëgjosh.
E vërteta mund të vonohet, të burgoset, të dëbohet e të mbulohet me dhe.
Por Shehollët nuk kanë birë ku të fshihen.











