Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, lidhur me interesimin e kandidatëve shqiptarë për pranim në shkollën e mesme për polic, përcjell tetova1
BDI pretendon se 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar dhe kanë plotësuar kushtet për pranim, por nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve të pranuar. Sipas partisë opozitare, këto të dhëna bien ndesh me deklaratat se shqiptarët nuk kanë pasur interesim apo nuk kanë konkurruar në numër të mjaftueshëm.
BDI e ka akuzuar Isenin dhe VLEN-in për manipulim të opinionit publik, duke kërkuar përgjigje se pse kandidatët shqiptarë që kanë plotësuar kushtet nuk janë pranuar.
Partia gjithashtu ka kritikuar përbërjen e listës së të pranuarve, duke theksuar se nga gjithsej 310 kandidatë të pranuar, numri i shqiptarëve është, sipas saj, minimal.
Në reagimin e saj, BDI e ka cilësuar Isenin si “zëvendësministër kukull” dhe ka kërkuar sqarime për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë.
Reagimi i plotë i BDI-së:
“Të dhënat dhe listat e kandidatëve e demaskojnë publikisht gënjeshtrën e Astrit Isenit dhe VLEN-it se shqiptarët nuk kanë pasur interesim apo nuk kanë konkuruar për pranim në shkollën e mesme për polic. Plot 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet për pranim, por nuk janë pranuar. Kjo e rrëzon përfundimisht arsyetimin e Astrit Isenit, i cili për të mbrojtur një vendim që dëmton rëndë përfaqësimin e shqiptarëve, ka zgjedhur të manipulojë opinionin publik me të pavërteta.
Astrit Iseni doli publikisht në mbrojtje të vendimit skandaloz, përmes të cilit nga 310 kandidatë të pranuar, vetëm një numër minimal janë shqiptarë. Për ta arsyetuar këtë përjashtim, ai u përpoq të manipulojë opinionin me pretendimin se shqiptarët nuk kanë aplikuar ose nuk kanë pasur interesim të mjaftueshëm, duke paraqitur shifra që nuk përputhen me realitetin dhe me listat e kandidatëve që kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet.
Por më e rëndë se vetë vendimi antishqiptar është mënyra se si Astrit Iseni po e mbron atë. Ja ku janë listat e plota: 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet, ndërsa megjithatë janë lënë jashtë. Në vend që të kërkojë përgjegjësi për këtë përjashtim dhe të mbrojë të drejtën e shqiptarëve për përfaqësim të drejtë, Astrit Iseni ka zgjedhur të mbrojë vendimin duke shpërndarë dezinformata dhe të pavërteta.
Një zëvendësministër që pretendon të përfaqësojë shqiptarët nuk duhet të shërbejë si zëdhënës për arsyetimin e çdo vendimi që është në dëm të shqiptarëve, në dëm të komuniteteve të tjera dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Astrit Iseni, me paaftësinë e tij politike dhe institucionale, po sillet si një zëvendësministër kukull, i cili del para opinionit vetëm për të arsyetuar, relativizuar dhe mbrojtur vendimet e dëmshme ndaj shqiptarëve, edhe kur për këtë duhet të përdorë gënjeshtra dhe të pavërteta.
BDI kërkon përgjigje të qartë: pse 105 kandidatë shqiptarë që i plotësuan kushtet nuk u pranuan dhe pse nga 310 të pranuar shqiptarët përfaqësohen në mënyrë kaq të papërfillshme? Astrit Iseni dhe VLEN-i mund të vazhdojnë me gënjeshtra, por listat dhe faktet janë para opinionit. Shqiptarët nuk po përjashtohen sepse nuk konkurrojnë; shqiptarët po përjashtohen dhe pastaj përjashtimi i tyre po mbrohet me gënjeshtra”, përfundojnë nga BDI./tetova1.mk














