Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i drejtoi një paralajmërim të ashpër Turqisë, duke thënë se Izraeli nuk do të lejojë zgjerimin e pranisë ushtarake turke drejt jugut të Sirisë.
Netanjahu deklaroi se Turqia tashmë ka prani ushtarake në disa pjesë të Sirisë veriore, por paralajmëroi se forcat turke nuk duhet të lëvizin në jug të pozicioneve të tanishme.
“Nuk dua ta shoh Turqinë duke ardhur në jug”, tha kryeministri izraelit.
Ai u kundërshtua veçanërisht ndaj mundësisë që Turqia të vendosë një bazë ushtarake në një aeroport në jug të zonave ku aktualisht janë të pranishme forcat turke. Sipas Netanjahut, Izraeli e ka transmetuar tashmë qëndrimin e tij Ankarasë dhe autoriteteve siriane, drejtpërdrejt dhe përmes ndërmjetësimit të SHBA-së.
“Nuk do të tolerojmë një bazë ushtarake turke në një aeroport në jug të zonës ku Turqia ndodhet aktualisht”, tha Netanjahu.
Kryeministri izraelit vlerësoi se sulmi i fundit izraelit ndaj një baze ajrore siriane ishte një mesazh i qartë për Turqinë. Ai tha se Izraeli fillimisht u përpoq t’i paralajmëronte Ankaranë diplomatikisht, por më pas iu drejtua veprimit ushtarak.
“Natyrisht, ai mesazh nuk u pranua dhe na u desh ta tregonim në atë që në zhargonin tonë e quajmë mënyrë kinetike”, deklaroi Netanjahu.
Ai e lidhi politikën izraelite në pjesën jugore të Sirisë edhe me frikën nga shfaqja e grupeve të armatosura që mund të përbënin kërcënim për Izraelin. Netanjahu paralajmëroi për mundësinë e një “invazioni xhihadist” dhe theksoi se Izraeli dëshiron të ruajë pozicionin e fortë të sigurisë në rajon.
Në fjalimin e tij, Netanjahu foli edhe për situatën në Gaza, shtetësinë palestineze dhe Iranin. Ai përsëriti se i kundërvihet krijimit të një shteti palestinez dhe tha se Izraeli nuk ka ndërmend të largohet nga Gaza derisa, siç tha, Hamas të jetë hequr dhe territori të jetë çmilitarizuar.
Për sa i përket Iranit, kryeministri izraelit e vlerësoi sërish vendin si kërcënim ekzistencial për Izraelin, veçanërisht për shkak të programit të tij bërthamor. Ai theksoi se Izraeli do t’i marrë vendimet për mbrojtjen e sigurisë së tij në mënyrë të pavarur.
Netanjahu njoftoi gjithashtu një forcim të konsiderueshëm të kapaciteteve ushtarake izraelite dhe industrisë mbrojtëse, duke përfshirë rritjen e prodhimit të armëve dhe municioneve.
Ai theksoi edhe ambiciet teknologjike të Izraelit, duke thënë se vendi dëshiron të bëhet një nga fuqitë kryesore botërore në fushën e inteligjencës artificiale.











