Trendy

Transportuesit në protestë para Delegacionit të BE-së në Shkup

Para 6 orë

Transportuesit e organizuar nga asociacioni vendas i transportit “Makam-Trans” sot, nga ora 12:00 deri në 14:00, do të zhvillojnë protestë para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, duke kërkuar zgjidhjen e problemit me qëndrimin e kufizuar të shoferëve profesionistë në zonën Shengen. Protesta është paralajmëruese, në prag të takimit të nesërm të Grupit të Punës në Bruksel, nga i cili transportuesit presin zgjidhje për statusin e tyre, pasi janë përballur me probleme për shkak të rregullit 90/180 të BE-së, sipas të cilit shtetasit e vendeve të treta mund të qëndrojnë në zonën Shengen maksimumi 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditësh.

 

Pranë Delegacionit të BE-së në Shkup, gjatë protestës do të jenë të parkuara rreth 20 automjete të rënda transportuese nga Shkupi, në prani të pronarëve të kompanive të transportit, shoferëve dhe punonjësve të tjerë nga pjesë të ndryshme të vendit. Në të njëjtën kohë, protesta të transportuesve do të zhvillohen edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

 

Nga “Makam-Trans” thonë se protesta është një paralajmërim për Bashkimin Evropian, i cili, sipas tyre, gjatë shtatë muajve të fundit nuk ka treguar vullnet të mirë për zgjidhjen e problemit, edhe pse në strategjinë e vizave shoferët janë njohur si profesionistë që ushtrojnë veprimtari.

Trending