Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Rezerva Strategjike e Naftës e Shteteve të Bashkuara do të rimbushet me naftë bruto nga Venezuela.
Vendimi pason marrëveshjen e arritur ndërmjet Uashingtonit dhe Karakasit, përmes së cilës SHBA-ja merr kontrollin mbi pjesën më të madhe të shfrytëzimit të mbi 65 miliardë fuçive rezerva të provuara të naftës venezueliane.
Trump deklaroi se furnizimi pritet të fillojë së shpejti, duke e cilësuar marrëveshjen si “një dhuratë nga Venezuela për popullin amerikan”. Rezervat strategjike amerikane kishin pësuar rënie të ndjeshme pas përdorimit të tyre për zbutjen e çmimeve të larta të karburanteve dhe përballimin e problemeve në zinxhirët globalë të furnizimit. Megjithatë, ekspertët mbeten skeptikë se kur do të nisë konkretisht dërgimi i naftës venezueliane në depot strategjike të SHBA-së.











