Trendy

Ilir Kulla: Serbia ka interes të nxisë përçarje fetare mes shqiptarëve

Para 39 minuta

Drejtori i “Global Crisis Group”, Ilir Kulla, deklaroi se feja dhe atdheu janë të ndërlidhura, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e ndasive fetare në Kosovë.

Gjatë emisionit “Matrix”, të drejtuar nga Mehmet Kalisi, Kulla diskutoi për raportin ndërmjet besimit fetar, identitetit kombëtar dhe interesave politike në Kosovë.

Duke folur për rëndësinë e fesë në raport me atdheun, ai tha se “pa fe nuk ka atdhe”, duke e lidhur besimin me ruajtjen e identitetit dhe të vendit.

Kulla u ndal edhe te pyetja se cilat shtete mund të përfitojnë nga një përçarje fetare e shqiptarëve në Kosovë. Sipas tij, Serbia është i vetmi vend që mund të ketë një interes të tillë, ndërsa shtetet e tjera nuk kanë arsye të synojnë ndarjen e shqiptarëve mbi baza fetare.

“Vetëm serbët, askujt tjetër nuk do t’i interesonte që të përçahen shqiptarët në fe, sepse Serbia e ka në planet e saj historike, që në krye të herës, që kur ka vendosur të themelojë shtetin e vet në kurriz të shqiptarëve, edhe t’i pastrojë shqiptarët etnikisht.”

Drejtori i “Global Crisis Group” theksoi se këto çështje janë trajtuar edhe më parë dhe i lidhi zhvillimet e konfliktit në ish-Jugosllavi me instrumentalizimin e fesë për synime politike.

“Ne kemi analizuar këto tema. Vetëm serbët kanë dashur një shtet doktrinar fetar dhe ata kanë qenë të vetmit që kanë arritur të bëjnë edhe një luftë fetare në ish-Jugosllavi, duke përdorur besimin për qëllime politike.”

Sipas Kullës, shfrytëzimi politik i identitetit fetar luajti rol në rrëzimin e ish-Jugosllavisë, të cilën ai e konsideroi një prej shteteve më të zhvilluara të asaj periudhe.

“Dhe shkatërruan një nga shtetet më të zhvilluara të kohës, që ka qenë Jugosllavia, pikërisht me një luftë që zgjati katër apo pesë vite.”

Qëndrimet e tij u paraqitën gjatë debatit mbi ndikimin e fesë në formësimin e identitetit kombëtar dhe nevojën për të parandaluar ndarjet fetare në shoqërinë kosovare.

Trending