Trendy

Valon Idrizi: Një tragjedi në heshtje, populli po zbrazet

Para 3 javë
  • Afaristi Valon Idrizi, ka reaguar për migrimin dhe largimin e njerëzve nga vendi, duke e cilësuar këtë fenomen si një “tragjedi në heshtje”, përcjell tetova1

Ai thekson se pasojat e migrimit po shihen gjithnjë e më shumë në mbylljen e shkollave, objekteve të kultit dhe shitjen e shtëpive.

Postimi i plotë:

“Një tragjedi në heshtje!

Ka një moment kur migrimi pushon së qeni statistikë dhe fillon të bëhet tragjedi.

Ai moment vjen kur nuk mbyllen më vetëm biznese për mungesë klientësh, por fillojnë të mbyllen shkollat sepse nuk ka fëmijë, objektet e kultit sepse nuk ka më njerëz, ndërsa shtëpitë që dikur mbeteshin të mbyllura duke pritur kthimin e familjarëve, sot gjithnjë e më shumë nxirren në shitje.

Një popull nuk zhduket vetëm kur humbet një luftë. Mund të zhbëhet edhe në heshtje: një familje sot, një klasë nesër, një shkollë pasnesër, një shtëpi e shitur dhe, disa vite më vonë, një lagje e tërë pa jetë.

E ndërkohë politika vazhdon të numërojë vota, mandate dhe fitore. Por çfarë vlere ka të fitosh pushtetin mbi një vend që çdo vit ka më pak njerëz? Për kë do të ndërtoni të ardhmen kur rinia e ka ndërtuar të vetën diku tjetër?

Mbyllja e një shkolle dhe shitja e shtëpive nuk janë thjesht ndryshime të zakonshme shoqërore. Janë alarme të një populli që po zbrazet.

Sepse në fund, tragjedia më e madhe nuk është vetëm se njerëzit po ikin. Tragjedia është kur fillojnë të mos lënë më asgjë pas për t’u kthyer”, ka përfunduar Idrizi./tetova1.mk

Trending