Presidenti amerikan Donald Trump u ka dhuruar nga 45 mijë dollarë në para të gatshme tri prej ndihmëseve të tij të afërta në Shtëpinë e Bardhë, sipas formularëve të deklarimit financiar të publikuar nga administrata. Në dokumente, pagesat janë regjistruar si shpërblime për pushimet e fundvitit.
Mes përfitueseve është Natalie Harp, asistentja ekzekutive e Trump, e cila është pjesë e rrethit të tij të ngushtë. Nga 45 mijë dollarë kanë marrë gjithashtu Margo Martin, këshilltare për komunikimin, dhe Chamberlain Harris, zëvendësdrejtoreshë e operacioneve të Zyrës Ovale.
Një tjetër bashkëpunëtor i afërt i presidentit, Walt Nauta, drejtor i operacioneve të Zyrës Ovale, deklaroi një dhuratë më të vogël, me vlerë rreth 20 mijë deri në 22 mijë dollarë.
Shuma e dhënë tri ndihmëseve ka tërhequr vëmendje për shkak të raportit me pagat e tyre qeveritare. Secila prej tyre merr rreth 150 mijë dollarë në vit, çka do të thotë se dhurata prej 45 mijë dollarësh përfaqëson rreth 30 për qind të pagës së tyre vjetore.
Shtëpia e Bardhë e ka mbrojtur vendimin, duke argumentuar se Trump ka prej kohësh praktikën e dhënies së dhuratave për Krishtlindje njerëzve që punojnë pranë tij. Sipas administratës, presidenti u ka dhënë dhurata ndihmësve dhe punonjësve të tij si gjatë angazhimeve në sektorin privat, ashtu edhe gjatë periudhave në qeveri.
Shtëpia e Bardhë këmbëngul se paratë nuk përfaqësojnë kompensim për punën e kryer në administratë dhe “nuk kanë të bëjnë me detyrat zyrtare qeveritare”. Ajo i ka cilësuar dhuratat si të lejueshme sipas standardeve përkatëse ligjore dhe etike.
Megjithatë, shumat kanë nxitur diskutime për rregullat etike që zbatohen për punonjësit federalë. Ligji amerikan vendos kufizime ndaj plotësimit të pagës së një punonjësi federal nga burime të tjera për shërbimet që ai kryen për qeverinë. Në këtë rast, dokumentet i klasifikojnë paratë si dhurata personale, jo si pagesa apo shpërblime për punën.
Pikërisht dallimi mes një dhurate personale dhe një kompensimi të lidhur me detyrën zyrtare është në qendër të pikëpyetjeve të ngritura nga ekspertët e etikës.
Vëmendje të veçantë ka marrë dhurata për Natalie Harp, një nga bashkëpunëtoret që shfaqet më shpesh pranë presidentit. Harp është bërë e njohur në mediat amerikane edhe me nofkën “printeri njerëzor”, pasi shpesh mban me vete një printer portativ për t’i siguruar Trump dokumente, artikuj dhe materiale të tjera gjatë ditës.
Afërsia e saj me presidentin dhe prania e vazhdueshme në aktivitetet e tij e kanë bërë atë një nga ndihmëset më të dallueshme të rrethit të Trump. Pavarësisht debatit të krijuar nga përmasat e dhuratave, Shtëpia e Bardhë mban qëndrimin se bëhet fjalë për para personale të dhëna nga Trump dhe jo për shtesa page ose kompensim për punën e ndihmësve në administratën amerikane.











